Bie kërkesa, biznesi tkurr prodhimin

16/04/2015 00:00

Bizneset deklaruan se ulën prodhimin në tremujorin e parë të vitit, për shkak të rënies së kërkesës në treg.

Një vrojtim i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se, shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese ra në të gjithë spektrin e ekonomisë, nga industria te shërbimet, duke çuar në një zbehje të optimizmit në treg.

Sipas vrojtimit, në sektorin e Industrisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ishte 4 pikë përqindjeje më e ulët se mesatarja afatgjatë dhe bizneset kanë raportuar rënie të kërkesës si brenda, ashtu dhe jashtë vendit.

Industria është një sektor i goditur veçanërisht në pjesën e nxjerrjes, ku çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet botërore kanë dekurajuar prodhimin dhe investimet në vend.

Por, teksa në këtë sektor përkeqësimi i treguesve ishte parlajmëruar, vrojtimi tregon se në tremujorin e parë, e njëjta tendencë është vënë re dhe në degët e tjera si tregtia, shërbimet dhe ndërtimi. Në të treja këto degë, bizneset raportojnë rënie të kërkesës dhe ulje të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese.

Veç bizneseve, edhe konsumatorët kanë përjetuar rënie të besimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, besimi konsumator ra me 2.7 pikë përqindjeje, si rezultat i vlerësimit të tyre për situatën ekonomike dhe financiare. Përkeqësimi i besimit në ekonomi në tremujorin e parë vjen pas dy tremujorësh me rritje.

Top Channel