PD do të prezantojë Halim Kosovën për Tiranën

16/04/2015 00:00

Partia Demokratike po bëhet gati të shpallë zyrtarisht Halim Kosovën, si kandidatin e opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Në selinë blu u zhvillua në drekë një mbledhje e zgjeruar e kryetarit Lulzim Basha, me deputetët e opozitës për Qarkun e Tiranës dhe me kryetarët demokratë të rretheve.

Burime brenda mbledhjes pohuan për Top Channel se, zoti Basha ka njohur drejtuesit e strukturave me vendimin për të kandiduar doktor Halim Kosovën në Tiranë, që sipas sondazheve të brendshme është më i preferuari i qytetarëve, jo vetëm nga opozita, por edhe përballë kundërshtarëve të koalicionit qeveritar.

Dr. Halim Kasova do të prezantohet rreth orës 18.00, jo në Partinë Demokratike. Opozita do të përpiqet të ruajë maksimalisht profilin e tij jopartiak dhe të pëlqyer nga qytetarët. Për këtë arsye, pas një takimi pa media me disa përfaqësues të grupit “Iniciativa për Tiranën”, i përbërë nga intelektualë të kryeqytetit, Halim Kosova bashkë me Lulzim Bashën do të komunikojnë me mediat për vendimin e kandidimit.

Gjatë ditës së sotme janë shpallur disa kandidatë të tjerë të opozitës: në Pogradec, Eduart Kapri. Në Përmet, Niko Shupuli. Në Rrogozhinë, Eqerem Deliu. Në Konispol, Malo Myrtaj. Gjatë ditës pritet të shpallet edhe Shkodra, ku Partia Demokratike pritet të përfaqësohet me deputeten Voltana Ademi, ish-Prefekte e qarkut më të madh të Veriut.

Top Channel