Një drejtues i një kompanie në Seattle të Shteteve të Bashkuara vendosi të ulë me 90 përqind rrogën e tij dhe ta shpërndajë atë për të gjithë punonjësit, në një lëvizje që ai vetë e quan “detyrim moral”.

Dan Price, 30 vjeç, i cili drejton “Gravity Payments” hoqi dorë nga 90 përqind e pagës së tij 1 milionë dollarëshe në mënyrë që t’u siguronte punonjësve të tij të paktën 70 mijë dollarë në muaj.

“Sot pabarazia ekonomike është në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, që prej Depresionit të Madh. Kisha kohë që e mendoja dhe tani vendosa e i thashë vetes që nuk mund të vazhdoj dot më pa bërë asgjë për këtë”, deklaroi ai për “Huffington Post”.

Price shprehet i lumtur për vendimin e marrë, por më të lumturit në këtë mes sigurisht që janë punonjësit e tij.

“Kjo do të bëjë një goxha ndryshim për mua dhe për gjithë kolegët e mi këtu”, thotë Philip Akhavan, një 29-vjeçar punonjës i “Gravity Payments”.

Lëvizja e 30-vjeçarit nga Seattle i paraprin një proteste të paralajmëruar nga punonjës në New York kundër minimumit të pagave aktuale. Nën sloganin “Lufta për 15 dollarë”, ata kërkojnë ngritjen në 15 dollarë të orës së punës.  

Top Channel