Pedagogët: Anuloni ligjin për Arsimin e Lartë

16/04/2015 00:00

Pedagogët e Forumit për liri akademike, në Fakultetin e Filologjisë kanë firmosur një peticion, ku kërkojnë rishikimin e projektligjit të Arsimit të Lartë, para se të kalojë në Parlament.

Profesor Mark Marku thekson se, veç kapitullit 12, në këtë projektligj ka shumë nene, të cilat kufizojnë lirinë akademike dhe krijojnë zhbalancime mes Senatit dhe Bordit akademik.

“Projektligji ka probleme në të gjithë nenet e tij, vërejtjet thuajse nuk janë reflektuar fare. Ne mendojmë se ky projektligj e kthen pas universitetin publik”, tha profesor Mark Marku.

“Anëtarët që do të zgjidhen në bord dhe që do të vijnë nga fakultetet apo njësitë bazë, do të përzgjidhen nga Senati. Por këta, pasi bëhen anëtarë të bordit, këta i mbivendosen Senatit dhe mund të kthejnë vendimet e tij. Në një institucion të organizuar nuk mund të ndodhë që atij, të cilit i delegohet një pushtet dhe që i mohohet nga një instancë më e lartë, të marrë kompetenca mbi instancën që e ka përzgjedhur. Kjo është e pamundur”, tha profesor Artan Fuga, shef i Departamentit të Gazetarisë.

Në këtë takim, pedagogët kanë kërkuar që i gjithë projektligji të shikohet nen për nen dhe të diskutohet, se cilat mund të jenë zgjidhjet më të mira për universitetin publik.

“Vërtet theksohet që e ka autonominë, por pasi e jep fillimisht me njërën dorë, e merr me dorën tjetër me gjithë ato drejtoritë dhe agjencitë që krijohen dhe e zhduk de facto këtë autonomi”.

“Dje në Universitetin e Tiranës u ra dakord që të bëhet një rezolutë nga Senati i UT dhe t’i çohet Parlamentit e shoqëruar me një ekspertizë të këtij lloji. Mendojmë se, duke bërë punën e vet si Senati, por edhe ne punën tonë, do të ushtronim një presion shumë të mirë dhe të detajuar në pikat ku ligji ka problemet më të rënda”, tha Dhurata Shehri.

Pak ditë më parë, Senati i Universitetit të Tiranës kundërshtoi kapitullin 12 të këtij projektligji, duke e cilësuar atë antikombëtar dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Ndaj, Forumi për liri akademike kërkon heqjen e këtij kapitulli dhe ndryshimin e një pjese të madhe të neneve të këtij projektiligji, i cili është miratuar nga Qeveria.

Top Channel