PDIU shpall 3 kandidatë, Idrizi: Nga PS duam edhe Patosin. Tahiri, në drejtim të paditur

16/04/2015 00:00

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, tashmë pjesë e koalicionit të majtë ka bërë publike emrat e kandidatëve të saj në 3 bashki. Në Konispol do të rikandidohet kryetarja aktuale e kësaj njësie, Mimoza Arapi, në Rrogozhinë biznesmeni Beqir Nuredini, ndërsa në Peqin juristi Saimir Hasalla.

Ndërkohë PDIU po negocion me PS-në edhe për Bashkinë e Patosit, siç konfirmoi edhe gjatë emisionit “Top Shoë”, Shpëtim Idrizi.

“Pothuajse i kemi dhënë fund marrëveshjes me Partinë Socialiste. Konkretisht bëhet fjalë për Bashkinë e Konispolit, Rrogozhinës, Peqinit dhe për Patosin, për këtë të fundit jemi ende në bisedime”, tha Idrizi.

Për herë të parë, kreu i PDIU-së shpjegoi edhe qëndrimin e deputetit Dashamir Tahiri, i cili menjëherë pasi partia e tij deklaroi kalimin në aleancë me të majtët, u shfaq në mitingun e demokratëve në Vlorë.

“Zoti Tahiri mesa duket ka zgjedhur rrugën e tij për t’u bashkuar me Partinë Demokratike, apo nuk e di se çfarë. Unë nuk e di sesi mund të merret, por personalisht kam qenë i befasuar kur kam parë zotin Tahiri, ndërkohë që kishim rënë dakord të gjithë bashkë dhe në Këshillin Kombëtar, edhe si grup parlamentar. Ndoshta zoti Tahiri ka pasur problem ose ka qenë i ngatërruar me identitetin e tij. Në qoftë se është ndierë më i djathtë, ose më shumë te Partia Demokratike, atëherë ka qëndruar më kot te PDIU. Përtej kësaj, është një zgjidhje e tij. Nuk ka qenë as e rakorduar dhe as nuk ka dhënë ndonjë shpjegim në Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet”, tha më tej Idrizi, gjatë emisionit “Top Shoë”.

PDIU me 5 deputetë mesa duket i bashkëngjitet qeverisjes me 4 të tillë. “Deputetët e PDIU-së janë në shtëpinë e tyre, përveç zotit Tahiri, i cili ka ikur në drejtim të paditur, por përsëri e ka shtëpinë e vet të hapur. Të tjerët janë duke u marrë të gjithë me zgjedhjet”, deklaroi mbrëmjen e së mërkurës, Shpëtim Idrizi.

Top Channel