Serbi-Shqipëri në KAS, sot dëshmojnë serbët

16/04/2015 00:00

Ka nisur sot në Lozanë, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, akti i tretë i ndeshjes së 14 tetorit Serbi-Shqipëri, e ndërprerë për shkak të dhunës së tifozëve vendas ndaj lojtarëve të kombëtares sonë.

Është radha e drejtuesve të Federatës Serbe të Futbollit të paraqesin gjatë ditës para gjyqtarëve faktet dhe arsyet pse ata kërkojnë rikthimin e tre pikëve të hequra nga komisionet e UEFA-s.

Sipas mediave serbe, Federata Serbe e Futbollit do të përfaqësohet nga sekretari i përgjithshëm i saj, Zoran Lakoviç, ndërkohë që dëshmitarët e palës serbe do të flasin nëpërmjet video-konferencës.

Edhe pse janë optimistë, mediat i frikësohen faktit që policia serbe ende nuk e ka gjetur personin që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit.

Para nisjes së seancës dëgjimore, presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, është ankuar për zvarritjen e kësaj çështjeje nga organet shtetërore dhe policore, gjë e cila, sipas tij, do ta pengojë shumë misionin serb për të rimarrë 3 pikët.

Drejt Lozanës ka udhëtuar edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka, të cilët të premten do të japin faktet e tyre dhe do të dëshmojnë para gjykatësve të KAS-it.

Sipas mediave serbe, vendimi përfundimtar për ndeshjen Serbi-Shqipëri do të jepet pas 30 ditësh.

Top Channel