Bashkia e Tiranës, kredi pa kolateral për biznesin e ri

16/04/2015 00:00

Brenda muajit Maj, të gjithë ata që duan të hapin një biznes të vogël apo të mesëm mund të përfitojnë kredi, pa pasur nevojë për kolateral, nga fondi prej 5.2 milionë dollarësh i vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, Qeveria norvegjeze dhe Fondi shqiptaro-amerikan.

Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kjo është një nxitje për punësimin, por nga ana tjetër do të shërbejë për të frenuar braktisjen e vendit nga të rinjtë, për shkak të situatës së rëndë ekonomike që është krijuar.

“Për herë të parë në Shqipëri dhe në Ballkan, Bashkia e Tiranës dedikon fondet e saj për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së qytetit, përmes kredive dhe huave me terma shumë të favorshme, për këdo që dëshiron të fillojë një biznes, me një plan biznesi solid, qoftë ky i vogël, apo edhe më mirë në qoftë se arrin të punësojë më shumë sesa vetë familjarët. Ndaj me këtë projekt, sot më shumë se kurrë më parë, ne synojmë të rikthejmë shpresën tek ekonomia e kryeqytetit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Basha u takua me presidentin e Fondit shqiptaro-amerikan për Zhvillimin, Michael Granoff. Fondi do të mbështesë edhe një projekt të rëndësishëm për Tiranën, siç është rehabilitimi i “Pazarit të Ri” në kryeqytet, ku 3 milionë euro financohen nga Fondi amerikan dhe 3 milionë të tjera nga Bashkia.

“Një projekt modern parashikon rehabilitimin total të sheshit ‘Avni Rustemi’ dhe të zonës së ‘Pazarit të Ri’, duke e kthyer atë në parametrat moderne të lakmueshme edhe për qendra të mëdha europiane dhe të frymëzuara nga modele të suksesshme europiane, siç janë ato të Barcelonës. Një investim prej 6 mln eurosh, ku Bashkia e Tiranës është gati të kontribuojë deri në 3 mln euro, e që do t’i shërbejë jo vetëm rivitalizimit të kësaj pjese të qytetit, por edhe sipërmarrjes, biznesit, konsumatorëve dhe klientëve të shumtë të kësaj zone, dhe do të shërbejë si një stimul pozitiv në këto kohë vështirësish dhe bllokimesh të mëdha”, tha më tej kryebashkiaku Basha.

Basha i kërkon Qeverisë të mbështesë këtë projekt të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës, të lejojë fillimin e punimeve dhe të mos i bllokojë ato, siç ka ndodhur me projekte të tjera të rëndësishme.

Top Channel