Kuvend, mazhoranca rrëzon kërkesën e PD për mandatin e Kokëdhimës

16/04/2015 00:00

Kuvendi rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të çuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim mandatin e deputetit socialist, Koço Kokëdhima.

Partia Demokratike, përmes kreut të grupit parlamentar kërkoi votim të fshehtë për këtë çështje. Kërkesa u refuzua nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i cili citoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për një rast të ngjashëm në të shkuarën. Pas kësaj me 68 vota kundër dhe 29 pro kërkesa u rrëzua.

Kërkesa e opozitës është shoqëruar me një debat të ashpër ligjor e politik mes dy palëve në seancën plenare.

“Në momentin që ka qenë deputet ka përfituar fonde publike dhe këtë e keni të provuar”, tha deputeti demokrat Arben Ristani.

“Deputeti Kokëdhima nuk ka lidhur ndonjë kontratë, pasi është shpallur deputet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, reagoi deputetja socialiste Vasilika Hysi.

“Edhe sikur ta pranojmë që deputeti Kokëdhima është i pastër, le ta gjykojë Kushtetuesja dhe të na e rrëzojë kërkesën”, shtoi më tej Ristani.

“Të jesh aksioner do të thotë se këta njerëz kanë punuar dhe kanë zgjedhur për t’u pasuruar rrugën e punës dhe të djersës”, foli vetë deputeti socialist, Koço Kokëdhima.

“Siç e patë, Koço u mundua të na e shkoqiste çështjen, por unë besoj se u ngatërrua më tepër”, u kundërpërgjigj Ristani nga foltorja e Kuvendit.

“Ristani është nip në fshatin tim. Gjyshi i Ristanit ishte kushëri i parë me gjyshin tim. Kam një këshillë për ty Arben, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë komision, ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë. Një herë si nip në fshatin tim, një herë si kushëri i imi dhe një herë si deputet i opozitës”, tha deputeti Kokëdhima.

“M’u kujtua një shprehje e të parëve të mi, që thoshin se në fshat ka qenë rregull të mos bënin krushqi, e kishin të ndaluar të bënin krushqi me Kokëdhimajt. Tani që unë shoh Koçon, kuptoj se pse të parët e mi kanë pasur të drejtë”, reagoi Ristani.

“Për zgjedhjet vendore do dilni 5-0 dhe do ta shporrim nga kujtesa e popullit tonë, kujtimin e keq të asaj qeverisjeje të ndyrë, që ju i rezervuat vendit në përgjithësi dhe jugut të vendit në veçanti”, tha më tej Kokëdhima.

Top Channel