Kosovë, opozita bojkoton seancën plenare të Kuvendit

16/04/2015 00:00

Partitë opozitare në Kosovë; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën; kanë vendosur të bojkotojnë vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit.

Arsyeja e opozitës për të bojkotuar jo vetëm seancën e së enjtes, por dhe seancat e tjera në vazhdim, ka ardhur për shkak të mos futjes si pikë e rendit të ditës, të diskutimit për peticionin me mbi 30 mijë nënshkrime për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Gjatë seancës së Kuvendit, AAK propozoi që ky peticion të futet në rend dite, por nuk mori votat e mjaftueshme nga deputetët.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka marrë vendim që të hiqen rrethimet e hekurta të institucionit që ai drejton, të cilat kanë mbetur që nga koha e UNMIK-ut.

Sipas një njoftimi për media nga zyra e Kuvendit, ky vendim është marrë në vazhdimësinë e hapave të ndërmarra nga kryetari Veseli, për hapjen e institucionit më të lartë të vendit, Kuvendit të Kosovës, ndaj qytetarëve.

“Kjo hapje është në funksion të transparencës ndaj publikut dhe qytetarëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Top Channel