Kur media të dënon “me vdekje”

16/04/2015 00:00

Skandalet e VIP-ave dhe ngjarjet e jetës së tyre private nuk shkojnë kurrë pa u vënë re, kur publikohen në media, të cilësdo formë qofshin. Por, nga ana tjetër, zhurma dhe rrëmuja që shkaktojnë nuk janë pa pasoja.

Fituese apo jo në proceset e drejtësisë, shumë prej tyre kanë humbur betejat me publikun, i cili i identifikon edhe pas shumë vitesh me ngjarjet e së shkuarës. Ja cilat janë disa nga historitë më të bujshme të personazheve publikë në median shqiptare.

* Në 2007-n, një e përditshme në vend shkruan për një shtatzëni të këngëtares Shqiponja Karafili (Poni), duke pretenduar se babai i fëmijës ishte një deputet. Ngjarja nuk kaloi pa zhurmë, ndërsa këngëtarja vlonjate paditi organin mediatik për shpifje.

* Vite më parë, media vuri në shënjestër edhe familjen mbretërore shqiptare. Një tjetër e përditshme shkroi se, pasardhësi i mbretit ishte me SIDA. Edhe kjo ngjarje përfundoi në gjykatë për shpifje dhe u fitua nga familja mbretërore.

* Ngjarja më e bujshme e publikuar ndonjëherë në media, ka qenë videoja intime e Inis Gjonit me ish-partnerin e saj Arjan Selimi. Materialet, që u dyshuan se dolën nga Prokuroria, u përdorën nga gazetarët dhe për një kohë të gjatë fotot e saj ishin në faqet e para të gazetave.

* Katër vjet më parë, media u pushtua nga rasti “Bombaj”. Producenti dhe regjisori shqiptar u vu në shënjestër të shumë akuzave mediatike, për abuzime seksuale me një të mitur. Çështja përfundoi në gjykatë dhe procesi u zgjidh në favor të Leonard Bombajt.

* Vetëm pak muaj më parë, emri i moderatores Kozeta Kurti mbushi të gjitha mediat, me akuzën për vjedhje në një supermarket në Itali. Lajmi u mor nga një gazetë lokale italiane, e mjaftoi kaq që gazetat dhe portalet shqiptare ta kthenin këtë informacion në qendrën e vëmendjes së publikut. Kurti po e ndjek rastin e saj në gjykatë për shpifje.

Top Channel