Reona Peterson Joly po bën atë, që nisi 43 vjet me parë. Po flet për besimin e saj të krishterë në një vend, që në vitin 1973 e dënoi me pushkatim si agjente të Vatikanit.

74-vjeçarja ndodhet në Durrës, pikërisht aty ku gati një gjysmë shekulli më parë, e ardhur si turiste mundohej të linte fshehurazi broshurat, që flisnin për Zotin në vendin më ateist të botës.

S’ishin bërë ende 6 vite nga shkatërrimi dhe djegia e kishave dhe xhamive, e Shqipëria ishte e njohur në botë për burgosjen, torturat dhe vrasjet e priftërinjve dhe hoxhallarëve.

Reona dhe Evey Muggleton, shoqja e saj në këtë udhëtim, nuk e kishin ëndërruar asnjëherë aventurën dhe rrezikun që i priste, ndërsa u nisën 27 Qershorin e vitit 1973 në një udhëtim 10-ditor në vendin e panjohur.

Tashmë, ajo histori është veçse një medaljon dashurie për vendin, për të cilin ajo është lutur dekada me radhë. Edhe hoteli, ku është mbajtur e arrestuar dhe ku ka pritur vdekjen, është vetëm një lidhje fizike me vendin, me të cilin ka lidhur shpirtin përjetë.

Top Channel