Prishtinë, mi i ngordhur në ushqimin e nxënësve, anulohet kontrata

16/04/2015 00:00

Komuna e Prishtinës është njoftuar pasditen e së mërkurës se, në shkollën fillore “Meto Bajraktari” është gjetur një mi i ngordhur në një kuti të ushqimit, që u sigurohet nxënësve nga komuna.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha se reagimi ka qenë i menjëhershëm, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe këtë të enjte është vendosur edhe shkëputja e kontratës me kompaninë përgjegjëse për furnizimin e shkollave me kifle, një prodhim tradicional prej brumi që mbushet me djathë ose reçel.

“Paralelisht është informuar Inspektorati, i cili ka shkuar në të gjitha pikat ku prodhohen këto kifle të kompanisë ‘Beni Dona’, për të verifikuar kushtet fito-sanitare dhe për të verifikuar gjendjen e atyre furrave. Në njërën prej tyre, ka pasur edhe reagim ekstrem, duke mbyllur menjëherë furrën e kompanisë ‘Beni Dona’ në lagjen Mati. Ne kemi anuluar kontratën dhe për këtë është lajmëruar kompania, ndërsa do të ekzekutohen të gjitha garancitë që ishin të lidhura me kontratë”, tha Dardan Sejdiu, nënkryetar i Prishtinës.

Sejdiu vlerësoi incidentin si cënim të shëndetit publik, ndaj edhe komuna e Prishtinës është duke përgatitur padinë kundër kompanisë në fjalë.

Nënkryetari Sejdiu, ndër të tjera tha se kompania e kontraktuar ishte e lidhur ngushtë me pushtetin e kaluar, duke shtuar se do të rishikohen të gjitha kontratat që komuna ka me këtë kompani.

Padi është paralajmëruar edhe nga kompania. Fadil Paçarada, zëvendësdrejtor i Prokurimit në këtë kompani ka kundërshtuar të gjitha deklaratat e zyrtarëve komunalë, duke i cilësuar si sulme të drejtpërdrejta ndaj tyre.

“Në lidhje me miun e ngordhur, që pretendojnë ata se është gjetur në një kuti, kjo është e pamundur sepse kiflet janë të palosura një nga një me dorë. E kush e ka futur atë mi aty? Për çfarë qëllimesh? Sigurisht që po mësohet përmes deklaratave të zyrtarëve të komunës, të cilat i lexova pak më parë në internet, ku thuhet që ‘Beni Dona’ ka qenë e lidhur me pushtetin e kaluar, por këto shpifje nuk qëndrojnë absolutisht. Ne do të ngremë padi për shpifje, për njollosje dhe për goditje të biznesit tonë”, tha Fadil Paçarada, zëvendësdrejtor i Prokurimit në kompaninë e kontraktuar.

Paçarada shtoi se komuna e Prishtinës, nga viti 2013 i detyrohet kompanisë së tyre mbi 200 mijë euro fatura të hotelerisë dhe kifleve.

Në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku edhe është gjetur miu i ngordhur në ushqim, nuk kanë pranuar të flasin para kamerave lidhur me rastin në fjalë.

Top Channel