Profilet e kandidatëve, Kosova, mjeku që u bë politikan. Veliaj, nga aktivizmi, në qeveri si ministër

16/04/2015 00:00

Beteja e Tiranës, akti final i sëcilës do të luhet më 21 Qershor do vendosë përballë një mjek të mirënjohur në Shqipëri dhe një politikan të ri, i cili prej 2003 ka qenë mjaft aktiv në jetën politike në vend.

Halim Kosova përballë Erion Veliajt janë emrat që dy partitë kryesore në vend kanë vendosur t’i vënë përballë njëri-tjetrit në bashkinë më të rëndësishme të vendit, atë të kryeqytetit.

Por cilat janë profilet e dy kandidatëve?

Halim Kosova, i lindur më 28 tetor 1954 është një politikan i ri, por një personalitet në fushën e tij. Ai ka përfunduar studimet në vitin 1977 në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe në vitin 1982 ka përfunduar specializimin në Obstetri-Gjinekologji. Veç shumë specializimeve në Shqipëri dhe jashtë vendit, Halim Kosova në vitin 1985 ka realizuar për  herë të parë në Shqipëri marrjen e gjakut në fetusin ‘In-utero’, në periudha të hershme të shtatzënisë për diagnostikime të ndryshme. Kjo ngjarje ishte mjaft e rëndësishme për mjekësinë shqiptare në atë kohë.

Pas një periudhe të gjatë si mjek gjinekolog, në vitin 2001 ai emërohet Shef i Shërbimit në Repartin e Obstetrikës në Spitalin Universitar Obstreti-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë. Në vitin 2004 zgjidhet Drejtor i Përgjithshëm i këtij spitali, post të cilin e mban deri më 3 Prill 2013, kur dhe zgjdhet nga kryeministri i kohës Sali Berisha si Ministër i Shëndetësisë.

Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, Halim Kosova ishte në listën e deputetëve të Partisë Demokratike të qarkut të Tiranes, duke arritur të zgjidhet deputet, post të cilin do duhet ta lërë tashmë, pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për qytetarin e parë të Tiranës.

Erjon Veliaj. Ndryshe nga karriera e gjatë dhe vlerësuar e Halim Kosovës si mjek, kandidati i Partisë Socialiste Erion Veliaj vjen nga një tjetër fushe, politika dhe aktivizmi para saj. I lindur në Tiranë më 19 Dhjetor 1979, Veliaj përfundon studimet Bachelor  në Shkenca Politike në “Grand Valley State University” në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar, me fokus tek Integrimi Europian. Shfaqja e parë e Erion Veliajt në skenën publike dhe politike në Shqipëri ishte në vitin 2003 kur ai themeloi lëvizjen “MJAFT”, një organizatë që do të mbahet mend nga të gjithë shqiptarët për organizimin e protestave të veçanta dhe kreative kundër qeverisë Nano në atë kohë, duke ngritur disa kauza sociale dhe duke tërhequr vëmendjen e rinisë dhe shtresave të tjera të shoqërisë.

Në vitin 2008 vendos që t’i kushtohet politikës. Erion Veliaj dhe lëvizja “Mjaft” krijojnë partinë “G99”, e cila në zgjedhjet parlamentare të 2009, mori rreth 13 mijë vota në të gjithë vendin. Në vitin 2011, Erion Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste së Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin, duke u kthyer në një nga figurat publike të socialistëve në shumë prej debateve para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 2013.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai u zgjodh deputet i qarkut Gjirokastër, mandat të cilin do ta linte pasi u zgjodh Ministër i Rinisë dhe Mirëqënies Sociale, post të cilin e mban aktualisht. Në këtë detyrë mori disa nisma të rëndësishme, siç është ajo e hapjes se dosjeve dhe reforma e pensioneve.

Top Channel