Thaçi konfirmon gatishmërinë për të vizituar Beogradin

16/04/2015 00:00

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi e ka konfirmuar tashmë gatishmërinë e tij për të qëndruar për vizitë në Beograd.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se Thaçi e ka konfirmuar prezencën e tij, ku është ftuar në konferencën “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE: Së bashku mund të bëjmë edhe më mirë”, të cilën e organizon “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”.

“Zëvendëskryeministri Thaçi e ka pranuar ftesën javë më parë dhe e ka konfirmuar gatishmërinë. Ne tani jemi në pritje të konfirmimit nga shteti serb, nëse ka vullnet politik për këtë vizitë”, tha Selimi.

Sipas tij, autoritetet serbe pritet që të vendosin së shpejti për këtë, pasi ngjarja ku Thaçi ka konfirmuar pjesëmarrjen mbahet më 24 Prill, në kryeqytetin serb.

Top Channel ka mësuar se disa vende të Bashkimit Evropian po i bëjnë presion Serbisë, që të mirëpresë Thaçin në vizitë zyrtare dhe të ofrojë sigurinë e plotë të tij.

Po ashtu, mësohet se këto vende evropiane kanë marrë përsipër formën e organizimit të lëvizjes së Hashim Thaçit me helikopterë, nga Prishtina në Beograd, për të shmangur çfarëdo incidenti të mundshëm gjatë rrugës.

Gatishmëria e Thaçit për të vizituar Serbinë ka shkaktuar reagime të ashpra në Beograd, ku prokurorë serbë kanë deklaruar se do ta arrestonin udhëheqësin e UÇK-së, me nofkën “Gjarpri”.

Por, Petrit Selimi ka një përgjigje edhe për këto shqetësime të prokurorëve serbë.

“Mendoj se veprimet e regjimit të Millosheviçit të viteve 1990 duhet t’i takojnë historisë dhe të mos jenë pengesë e zhvillimit të marrëdhënieve të sotme për normalizimin e raporteve mes dy vendeve”, tha Selimi.

Nëse Thaçi do të mirëpritet nga autoritetet serbe për vizitën e tij, ky do të ishte qëndrimi i parë i tij në Beograd, ndërsa homologu i tij serb Ivica Daçiç ka qëndruar javë më parë për vizitë në Prishtinë.

Top Channel