Serbi, ministri i Brendshëm: Thaçi ndalohet, nëse vjen në Beograd

16/04/2015 00:00

Në Serbi duket se nuk e mirëpresin një vizitë të mundshme të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ka thënë se Hashim Thaçi, dikur një prej drejtuesve të UÇK-së, do të arrestohet nëse vjen në Beograd.

“Në rast se Thaçi vjen në Beograd, policia do të sillet sipas ligjit dhe do ta dorëzojë para drejtësisë”, u ka thënë Stefanoviç gazetarëve në Beograd, pas takimit me Komisionerin evropian Christos Stilijanides.

Organizata e rinisë “Ambasadorët e Paqes” ka thënë se Hashim Thaçi e ka konfirmuar pjesëmarrjen në konferencën për integrime evropiane në Ballkanin Perëndimor, që pritet të mbahet më 24 Prill.

Siç thuhet në deklaratën e kësaj organizate qeveritare, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar përveç Thaçit edhe zëvendësi i tij, Petrit Selimi, Sekretarja e shtetit për Integrim Evropian në Maqedoni, Ana Bllazheska, ministri i Bosnjës, Sherif Mujkanoviç dhe personalitete të tjera. Hashim Thaçi akuzohet në Serbi për krime lufte.

Top Channel