Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë, Brian Hoyt Yee i ka bërë thirrje Qeverisë së Maqedonisë t’i qaset seriozisht përmbajtjes së bisedave të përgjuara telefonike, me të cilat opozita maqedonase akuzon funksionarët më të lartë shtetërorë për përfshirje në afera të shumta korruptive.

Pas takimit që pati në Shkup me kryeministrin Nikola Gruevski, zyrtari i lartë amerikan tha se kriza politike në Maqedoni duhet të zgjidhet në rrugë demokratike.

“Siç e dini, kjo krizë ka aspekte dhe qasje të ndryshme. Një nga aspektet e rëndësishme të saj ka të bëjë me informacionet për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve në afera korruptive, ndikimin e mundshëm edhe të Qeverisë ndaj medieve, ndaj Gjyqësorit, keqpërdorimet e mundshme zgjedhore dhe shpërdorime të tjera të mundshme të pushtetit. Ne diskutuam rreth rëndësisë së kapërcimit të krizës, diskutuam rreth rëndësisë dhe përgjegjësisë së Qeverisë, që të mbështesë vlerat demokratike që përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë”, tha amerikani Hoyt Yee.

Zyrtari amerikan kërkoi nga institucionet kompetente në Shkup, që akuzat e ngritura ndaj funksionarëve qeveritarë të procesohen njësoj si rasti gjyqësor “Puç”, në të cilin pushteti akuzon liderin opozitar Zoran Zaev, se ka tentuar të rrëzojë Qeverinë me dhunë. Ai, po ashtu ftoi opozitën të kthehet në Kuvend.

“Sa i përket opozitës, shpresoj që të kthehet në Parlament sa më parë. Shpresoj gjithashtu që qytetarët e Maqedonisë do të punojnë bashkërisht për tejkalimin e kësaj krize, do të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe do të gjejnë mënyra për të dalë nga kriza”, tha Brian Hoyt Yee, zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan për Evropën dhe Azinë.

Për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni, Hoyt Yee ka biseduar të enjten edhe me shefin e diplomacisë maqedonase, Nikola Popovski, dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Të premten, Yee pritet të takojë edhe liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Top Channel