SHBA, 23-vjeçari i kthyer nga Siria akuzohet për terrorizëm

17/04/2015 00:00

Një 23-vjeçar, i cili kishte udhëtuar më parë në Siri për të luftuar përkrah një dege të Al Kaeda-s, akuzohet se kishte planifikuar të kryente një sulm terrorist mbi ushtrinë amerikane.

Abdirahman Sheik Mohamud u ndalua në muajin shkurt në Columbus të Shteteve të Bashkuara, ndërsa ditën e enjte ndaj tij u ngritën akuzat për mbështetje të terrorizmit dhe deklarata të rreme.

Sheik Mohamud kishte udhëtuar për në Turqi në prill të vitit të kaluar nga ku kishte kaluar më pas në Siri, kanë thënë prokurorët. Në qershor 2014 ai ishte kthyer në SHBA ku i kishte thënë dy personave të paidentifikuar se donte të kryente një sulm në një bazë ushtarake.

“Identifikimi dhe neutralizimi i kërcënimeve nga luftëtarët e huaj terrorist që kthehen në SHBA është një nga prioritetet kryesore të Divizionit të Sigurisë Kombëtare”, tha në një deklaratë zëvendësprokurori i Përgjithshëm, John Carlin.

Abdirahman Sheik Mohamud është i fundit i arrestuar në tentativat për të kryer sulme terroriste në SHBA. Dy persona u arrestuan në Çikago në fund të marsit, pasi tentuan të siguronin mbështetje materiale për organizatën. Në fillim të këtij muaji u arrestuan edhe dy femra në Nju Jork, të cilat po planifikonin të krijonin një armë të shkatërrimit në masë. Ndërsa javën e kaluar autoritetet amerikane parandaluan një sulm terrorist në bazën ushtarake ‘Fort Riley’ në Manhattan.

Top Channel