Humbja ndaj Portos, jep dorëheqjen stafi mjekësor i Bayern Munchen

17/04/2015 00:00

Humbja e Bayern Munchen ndaj Portos të mërkurën me rezultatin 3-1 ka bërë që i gjithë stafi mjekësor i skuadrës bavareze të japë dorëheqjen.

Müller-Wohlfart, shefi i shërbimit mjekësor, lajmëroi me anë të një komunikate për shtyp se dorëhiqet për shkak se stafi i tij u bë përgjegjës për humbjen në çerekfinalet e Champions League.

“Pas ndeshjes së Champions-it, stafi mjekësor u bë përgjegjës për humbjen dhe nuk e kuptoj arsyen”, lexohet në komunikatë.

Trajneri Pep Guardiola nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të mirë me Muller-Wohlfart që kur ka marrë drejtimin e skuadrës dhe situata është rënduar pasi nuk u morën vesh për trajtimin e Thiago Alcantara, i cili është dëmtuar rëndë dy herë.

Gota u mbush kur Bayern Munchen u përball me Porton me shumë mungesa të rëndësishme, mes të cilëve Schweinsteiger, Ribery, Robben dhe Alaba.

Doktori Müller-Wohlfart punonte për Bayern Munchen që nga viti 1977 dhe gjithashtu është shefi i shërbimit mjekësor të kombëtares gjermane.

Top Channel