Llalla flet si kreu i Gjykatës së Lartë, Zaganjori si kryeprokuror

17/04/2015 00:00

Në takimin me temë “Gjykimi penal dhe unifikimi i praktikës gjyqësore” për pak minuta në fjalimet e tyre dy krerët e instutitucioneve më të rëndësishme të së drejtës, njëri në Gjykatën e Lartë dhe tjetri i Prokurorisë së Përgjithshme, kanë referuar sikur të kishin marrë postet e njëri-tjetrit.

Duke përmendur unifikimin gjyqësor, kryetari i Gjykatës së Lartë shpjegoi se si mund të luftohet kriminaliteti, një temë e cila në fakt mund të ishte fare mirë shqetësim për kreun e akuzës.

“Lufta kundër kriminalitetit kërkon miratimin e një legjislacioni bashkëkohor dhe një bashkëpunim sa më efektiv ndërkombëtar. Krahas reagimit të fuqishëm të të gjithë mekanizmave të shtetit, një nga mjetet për të luftuar kriminalitetin është edhe shpejtësia e hetimit dhe gjykimit”, tha Zaganjori.

Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm ka ngritur shqetësimin e ndikimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë në gjykatat më të ulëta, një çështje kjo e diskutuar edhe nga misionet e huaja, që rekomandojnë rolin unifikues të Gjykatës së Lartë.

“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë duhet të ketë gjithmonë parasysh se vendimet e tyre kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në gjykatat e niveleve të ulëta hasen problematika të cilat kërkojnë ndërhyrjen me vendime unifikuese. Prokuroria e Përgjithshme e gjykon të rëndësishme që Gjykata e Lartë të ndërhyjë me vendime unifikuese për çështjet në parim”, tha Llalla.

Top Channel