Rama apel nga Vlora: Mos u mashtroni nga trafikantët

17/04/2015 00:00

Nga qyteti i Vlorës, kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për largimin e organizuar të shqiptarëve, që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht në Gjermani.

“Ky është një keqkuptim i madh, i cili është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet nga elementë kriminalë për të manipuluar njerëzit, duke iu marrë parà dhe duke spekuluar me një situatë ku Gjermania është në kërkim të një numri emigrantësh me profesione shumë të përcaktuara dhe nuk ka shpallur ndonjë hapje kufijsh apo ndonjë politikë për të mikpritur emigrantë që shkojnë atje për arsye ekonomike. Këtë e kemi bërë të qartë dhe do ta bëjmë të qartë, por fatkeqësisht njerëzit bien prè e këtyre elementëve kriminalë, siç ndodhi edhe në Vlorë përpara disa kohësh”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Europa, qëllimi është rruga”
Fleckenstein, me Ramën në Vlorë: Keni bërë përparime mbresëlënëse

Shefi i Qeverisë preku këtë temë, në forumin e organizuar në qytetin bregdetar, me temë “Europa, qëllimi është rruga”, me pjesëmarrjen e Raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. Takimi mbahet një javë përpara se raporti i tij për ecurinë e Shqipërisë të votohet në Parlamentin Europian, por në vlerësimin e tij bërë në Vlorë, Qeveria ka bërë reforma mbresëlënëse.

“Përgëzime kryeministër! Keni bërë punë mjaft të mirë. E dimë që kryeministri juaj po punon shumë për një gjë të tillë, sidomos sa i përket investimeve në infrastrukturë. Shqipëria është në rrugën e një reforme të rëndësishme në administratën publike. Reforma në drejtësi do të jetë po njësoj me rëndësi, do të rrisë nivelin e besimit të publikut në këtë sistem”, tha Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.

“I gjithë procesi i brendshëm që ne kemi nisur, është një proces në drejtimin e duhur. Është një proces që ne e bëjmë, sepse e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë. Ajo kërkon një shtet modern dhe funksional shqiptar”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Nuk mund të mungonte në mesazhin e Raportuesit të PE-së, apeli për dialog politik, sikundër as përgjigjja e kryeministrit për një refren kaq të përsëritur të Europës.

“Partitë duhet të ofrojnë alternativa për qytetarët. Dialog politik i këtij lloji është shumë i rëndësishëm. Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk mund të drejtohet vetëm nga Qeveria. Procesi i anëtarësimit i përket të gjithë vendit”, tha Fleckenstein.

“Të marrim shembull nga grekët, italianët? Çfarë konsensusi ka në Francë? Po në Angli ku është konsensusi? Sigurisht që ne kemi probleme të dialogut politik, në kuptimin e standardeve të dialogut politik, apo të komunikimit, por nuk duhet të biem prè në mënyrë kaq intensive dhe kaq monotone, që duhet të arrini konsensus, duhet të jemi me njëri-tjetrin si motra e vëllezër, sepse kjo nuk ndodh në një politikë reale të asnjë vendi. Unë do të kërkoja që, miqtë tanë europianë të mos kërkojnë nga ne gjëra që nuk i kanë në vendet e tyre. E thash edhe më herët, maksimumi gjermanët mund ta bëjnë këtë, sepse ata me koalicion të madh vazhdojnë dhe e kanë gjetur gjuhën. Por të na thonë italianët neve që të arrijmë konsensus, kjo nuk shkon. Ndërsa Austria, ha bukë veç sepse të ka ty (i referohet Fate Velajt). Ne flasim për ne të tjerët”, deklaroi kryeministri Rama.

Qëndrimin në Vlorë, kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi edhe për të inspektuar punimet në rrugën e Spitalit të këtij qyteti, një nga më të degraduarat ndër vite. Rindërtimi i kësaj rruge po bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të projektit “Rilindje urbane”.

Top Channel