“Azilantët”, refuzime në kufi. Durrës, policia portuale frenon fluksin

17/04/2015 00:00

Disa dhjetëra shqiptarë nuk janë lejuar natën e kaluar të kalojnë kufirin nga porti detar i Durrësit drejt zonës Shengen me tragetet e linjave detare. Fluksi i madh i largimeve nga vendi, me qëllim kërkimin e azilit në vendet e BE-së, ka shtuar ndjeshëm kontrollin ndaj udhëtarëve në këtë vendkalim kufitar.

Autoritetet e kufirit kërkojnë plotësimin e kërkesave për çdo udhëtar që do të lëvizë drejt zonës Shengen. Natën e kaluar, shumë prej tyre u refuzuan për mungesë të mjeteve monetare apo ftesave zyrtare nga i afërmi pritës që jeton në vendet e BE-së. Në rastet kur dyshohet për qëllimin e udhëtimit, nuk pranohen ftesat e dërguara në rrugë elektronike.

“Nuk më lejuan, sepse nuk kisha garancinë. Do të shkoja te daja në Bari. Nesër pres të ma sjellë garancinë dhe do iki. Kam udhëtuar edhe herë të tjera, kurrë nuk kam pasur probleme. Tani i ka kapur fiksimi”, thotë një person i kthyer.
 
Mes të refuzuarve ka edhe familjarë me fëmijë të vegjël apo persona, të cilëve më parë u është refuzuar hyrja në vendet e BE-së.
 
Kontrollorët e kufirit kërkojnë nga udhëtarët që të tregojnë ftesat zyrtare nga pritësit, mjetet monetare (jo më pak se 50 euro për ditë qëndrimi), si dhe të specifikojnë vendin e qëndrimit në zonën Shengen, përmes rezervimit të hotelit apo adresës ku do të qëndrojnë.

Gjithashtu, mungesa e veshjeve të mjaftueshme për të përballuar një udhëtim disaditor, në jo pak raste është bërë shkak për refuzimin e kalimit të kufirit shqiptar ditët e fundit.

Top Channel