Meta: Konsideratë për Veliajn dhe Kosovën, garë demokratike

17/04/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në një prononcim për mediat paraditen e së premtes ka vlerësuar kandidatët e shpallur nga forcat më të mëdha politike për Bashkinë e Tiranës.

“Kandidatura e Veliajt është mjaft e spikatur dhe meriton mbështetjen tonë. Koalicioni ynë është gjithëpërfshirës dhe kandidati ynë nuk mund të ishte ndryshe”, ka thënë Meta.

“Ndërkohë, kam konsideratë edhe për zotin Kosova, si dhe kandidatë të tjerë. Është një garë mjaft demokratike”, ka vijuar kryetari i LSI-së.

Një tjetër element pozitiv i kësaj gare elektorale, sipas tij, është edhe pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur. “Pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur është mjaft pozitive dhe tregues i demokracisë. Ata mund t’i japin leksione politikës dhe partive të mëdha”, ka vijuar Meta.

Më tej, kreu i Kuvendit ka përsëritur qëndrimin e tij se zgjedhjet e 21 Qershorit do të jenë historike për faktin se do të zhvillohen përmes reformës së re territoriale.

“Reforma e fundit territoriale ndryshon steriotipin e kryetarit të bashkisë dhe komunës dhe vë në dukje aftësinë e të zgjedhurve për të menaxhuar më mirë çështjet e komunitetit”, ka shtuar Meta.

Ndër të tjera, ai nuk ka preferuar të komentojë debatet e fundit në komisionet parlamentare lidhur me dekriminalizimin, duke theksuar se “ky është një proces që tashmë ka nisur”.

Sa për akuzat për standarde të dyfishta të bëra nga PD lidhur me rastin e deputetëve Doshi dhe Frroku dhe atë të deputetit Kokëdhima, Meta ka nënvizuar se, nuk bëhet fjalë për standarde të tilla, pasi në rastin e Doshit dhe Frrokut kërkesa për heqjen e mandateve erdhi nga gjykata.

Top Channel