Gjykata shpall antikushtetuese Byronë Kombëtare të Hetimit

17/04/2015 00:00

Gjykata Kushtetuese shpalli si të papajtueshëm me ligjin e Policisë së Shtetit ngritjen e strukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, çka do të thotë se të gjitha përpjekjet për të patur këtë organ hetimor duhet të ndalen.

Njoftimi u dha nga vetë Kushtetuesja në faqen e saj zyrtare, ndërkohë që nuk dihen ende se cilat janë argumentët e kësaj gjykate për konsiderimin si “antikushtetues” të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në fakt, në muajin tetor ligji u dërgua në Kushtetuese pasi u konsiderua nga deputetët e opozitës se prekte kompetencat e prokurorisë në rast se pranohej ngritja e BKH-së pas ndryshimeve që iu bënë ligjit për Policinë e Shtetit.

Në fillim të muajit prill, në vendin tonë mbërritën për këtë çështje edhe dy ekspertë të FBI-së, të cilët zhvilluan një takim me ministrin e Brendshëm për të dhënë ekspertizën e tyre për ngritjen efikase të strukturës së Byrosë së Hetimit, e deklaruar se do të luftonte korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.

Nga ana tjetër, gjatë muajve të fundit jursitët vendas, por edhe misioni EURALIUS rekomanduan që BKH-ja të ngrihej sipas modelit USKOK të Kroacisë, e cila ka shënuar rezultate në goditjen e korrupsionit, duke arrestuar funksionarë të lartë shtetërorë.

Top Channel