Zhgënjimi i një azilanti të kthyer: Asnjë të mos mashtrohet

17/04/2015 00:00

Krenar Toromani është nga fshati Kamenicë i Divjakës. Disa muaj më parë, ai mori rrugën drejt Gjermanisë për të kërkuar azil. Në Lushnje preu biletën dhe me autobus kaloi nga Vlora në Itali. Më pas udhëtoi me agjencitë drejt Gjermanisë, me shpresën se do t’i jepnin shtëpi, punë dhe leje qëndrimi.

Por parajsën nuk e gjeti dhe tani është kthyer, e nga ai udhëtim i ka ngelur vetëm zhgënjimi dhe paratë borxh që mori për të ikur.

“U nisa nga Shqipëria sepse më thanë dy shokë hajde këtej. Kalova nga Shqipëria në Itali, e më pas për në Gjermani, por nuk na pritën fare mirë. Na futën në disa çadra, si ato ushtaraket në një kamp, ku qëndruam për 2 javë të gjithë bashkë, familjarë, burra etj. Më pas na çuan në një hotel dhe na jepnin shumë pak parà, që nuk mjaftonin as për bukë”, thotë Krenar Toromani, banor i fshatit Kamenicë.

Prej 6 muajsh, e gjithë zona është prekur nga eksodi i azilkërkuesve. Të rinjtë nisen në grupe, të nxitur nga tregimet e të tjerëve në bisedat e gjata nëpër lokalet e fshatit.

“Shok pas shoku nisemi. Kush ka shkuar më parë atje, na thotë hajdeni dhe ikim të gjithë. Në fakt kur ika nuk kisha as garanci me vete, por nuk na nxorrën asnjë lloj problemi”, thotë Krenari.

Zhgënjimi erdhi sapo u paraqitën në qendrat e azilantëve. Siç tregon Krenari, ajo që provuan nuk ishte ajo që kishin menduar.

“Na pyetën përse kishim shkuar atje, iu përgjigjëm për azil, sepse s’kemi bukë të hamë andej dhe erdhëm këtej. Na futën në një kasolle, që do thosha se më mirë jetojmë këtu, sesa atje. Atje ishte tmerr, femra e fëmijë flinin me të rritur, të gjithë bashkë. Dhe nuk flinin vetëm me mua, por me 50 veta në një kamp”, thotë Krenari.

Pas dy muajsh pritjeje në çadrat e azilantëve, të afërmit e Krenarit morën sërish borxh nga Shqipëria, për t’i prerë biletën e kthimit. E gjithë aventura kushtoi 1200 euro, të cilat ai duhet t’i mbledhë për t’ua kthyer borxhlijve.

“Duhet me ua kthyer. Kam marrë parà borxh nga Shqipëria që kam ikur, edhe që kam ardhur. Nja 4 vetë kanë ardhur me mua, ndërsa një tjetër vjen në datën 25, sepse po pret të marrë lekët i shkreti, nuk ka parà as për biletën e kthimit”, thotë Krenari.

Në fshatin e tij, Krenari është ndër ata, që u tregon të tjerëve të vërtetën e mashtrimit me azilin në Gjermani. Ata që po kthehen tregojnë të njëjtat histori, ndërsa Krenari ka një mesazh për t’iu dhënë atyre, që po përgatiten për t’u nisur.

“U them që të mos niset asnjëri më, sepse vetëm sa shpenzojnë lekë. Ikin kot, ndaj mos mundohet kot njeri që të marrë lekë borxh si mua, me idenë që mund të ishte më mirë andej”, thotë Krenari.

Top Channel