Doshi dhe Frroku, avokatët kundër prokurorisë: Vendimi nuk u ndalon ushtrimin e detyrës së deputetit

17/04/2015 00:00

Duke iu referuar ligjit dhe mungesës së një vendimi nga Gjykata e Lartë që la nën arrest shtëpie deputetin Tom Doshi dhe me arrest me burg deputetin Mark Frroku, avokatët e konsiderojnë abuzim të prokurorisë ndalimin e ushtrimit të mandatit të tyre në Parlament.

Sipas avokatëve, Gjykata e Lartë është shprehur vetëm me masë shtrënguese dhe nuk ka dhënë masë ndaluese që t’i pengojë ata në ushtrimin e detyrës.

“Nëse Gjykta e Lartë do të ishte shprehur me një masë ndaluese që deputetit Mark Frroku t’i ndalohet veprimtaria në Parlament, atëherë Prokuroria e Përgjithshme ose Parlamenti do të kishte të drejtë të mos lejonte pjesëmarrjen e tij në komisione apo në seanca plenare”, u shpreh Saimir Visha, avokati i deputetit Mark Frroku.

“Sipas kësaj dispozite kjo masë ndaluese nuk mund të aplikohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Ka një konflikt mes vendimit të Gjykatës së Lartë për caktimin si masë sigurie arresti në shtëpi dhe ndalimi de facto që atij i është bërë për të ushtruar funksionin si deputet”, thotë Vladimir Meçi, avokat i Tom Doshit.

Madje, avokati i Frrokut sjell në vëmendje praktikën greke.

“Janë deputetët grekë të Agimit të Artë. Janë 3-4 deputetë, të cilët janë në masë sigurimi arrest me burg dhe sa herë që ka seancë plenare, forcat e policisë i shoqërojnë në Parlamentin grek. Kemi përpiluar kërkesën për Gjykatën Kushtetuese duke e konsideruar si antikushtetues vendimin e prokurorisë”, deklaroi avokati Visha.

“Hapi kryesor që ne do të hedhim është ai para Gjykatës Kushtetuese. Është në planet tona kërkesa për një masë sigurie më të lehtë, por ende nuk kemi vendosur”, thotë avokati i Tom Doshit, Vladimir Meçi.

Nga ana tjetër, brenda prillit, jo zyrtarisht, thuhet se Prokuroria e Përgjithshme do të dërgojë për gjykim në Gjykatën e Lartë dosjen Doshi-Frroku, pasi dyshon se ata kanë sajuar historinë e denoncuar si komplot kundër tij nga deputeti Doshi.

Top Channel