Dhoma Amerikane: Mos abuzoni me Marinzën. “Bankers” po bashkëpunon

17/04/2015 00:00

Pas Shoqatës së investitorëve të Huaj, edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë ka dalë në mbrojtje të kompanisë “Bankers Petroleum”, duke kërkuar të mos abuzohet me incidentin e Marinzës.

“Për këtë situatë ne mirëpresim faktin që ‘Bankers’ po flet me qeverinë, komisionin përkatës dhe me ata që janë dëmtuar nga ky incident. Por duhet të shmangen ato ndërhyrje oportuniste që përkeqësojnë dëmin e shkaktuar”, deklaroi Marc Crawford.

Presidenti i Dhomës Amerikane thotë se ngjarje të tilla, si ajo e Marinzës, ndodhin edhe në Shtetet e Bashkuara apo vendet e tjera të zhvilluara. Por zgjidhja e tyre në mënyrë ligjore dhe pa abuzivizëm, sipas tij, është një sinjal pozitiv që u jepet investitorëve të huaj.

“Nëse ka probleme dhe e kuptojmë që ato ekzistojnë, ne ndërmarrim hapat financiarë apo procedura të tjera për t’u përballur me to. Kjo tregon që mund t’u bëjmë ballë”, tha Crawford.

Në fillim të muajit, shpimi i një pusi në Marinzë shkaktoi shpërthim të gazrave dhe ujërave, duke dëmtuar rëndë mjedisin dhe pronat e banorëve.

Top Channel