Guardiola bën autokritikë: Nëse humbasim, përgjegjësi e imja. Qëndroj në Mynih

17/04/2015 00:00

Bayern Munchen duket se është përfshirë nga kaosi. Aq sa pas humbjes së rëndë të pësuar nga Porto në Portugali, në çerekfinalen e parë të Champions League, “faji” duket se u mor përsipër nga stafi mjekësor i bavarezëve.

Por, ai që duket se është përpjekur të shuajë zjarrin, është vetë trajneri i gjigantëve të Bundesligës, Pep Guardiola. Ende rëndon shumë ajo humbje, e cila rrezikon kualifikimin e gjermanëve në gjysmëfinalet e Championsit, por mbi të gjitha duket se ka qenë e papritur dorëheqja e mjekut historik të skuadrës, Muller-Wohlfahrt, i cili mesa duket është ofenduar nga përgjegjësitë e atribuuara ndaj tij prej stafit teknik të ekipit.

Megjithatë, trajneri spanjoll mohon gjithçka. “Isha i zhgënjyer nga rezultati, mjekët nuk kanë aspak faj. Nuk ka ndodhur asgjë mes nesh, ishte thjesht një vendim i tij dhe e respektoj”, tha Pep Guardiola në konferencën për shtyp. “Dëmtimet janë pjesë e futbollit, ndaj nuk është faji i mjekëve”.

Tekniku spanjoll ka provuar të shpjegojë humbjen e tmerrshme. “Përgjegjësia e humbjes në Oporto është vetëm e imja. Por më duket e çuditshme, që lojtarët e mi gjatë këtyre dy viteve u janë nënshtruar 30 herë operacioneve, ndërsa ne kemi fituar vetëm kampionatin dhe kupën. Është e vërtetë që nuk mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet 3-0 apo 4-0, por me këtë situatë të rënduar është thuajse e pamundur. Përpara sfidës me Shakhtar nuk patëm dëmtime, ndërsa 3-4 ditë më pas po. Por kështu e ka futbolli. Sa më përket mua, do të qëndroj këtu edhe sezonin e ardhshëm”.

Top Channel