Partneri shqiptar i koalicionit qeveritar në Shkup nuk ndihet fajtor për krizën e thellë politike në Maqedoni, por megjithatë do të angazhohet maksimalisht në zgjidhjen e saj.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se partia e tij do të përfshihet në bisedimet për zgjidhjen e krizës në momentin që dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, do të merren vesh për hartimin e një axhende për tejkalimin e situatës.

“Bashkimi Demokratik për Integrim do të përfshihet në momentin e hartimit të axhendës, që do të thotë se tani për tani nuk e shohim të arsyeshme të jemi pjesë e problemit, pasi ne përpiqemi që të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit dhe jo të krijojmë probleme të reja në vend”, deklaroi Ahmeti.

Gjatë takimeve të fundit që ka realizuar në Shkup me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve, Ahmeti ka kërkuar nga Uashingtoni dhe Brukseli angazhim më serioz në tejkalimin e situatës politike në Maqedoni.

“Kam kërkuar që BE-ja të inkurajohet nga SHBA-të që të ketë angazhim më të madh, të ketë qasje më serioze për tejkalimin e kësaj situate dhe për arritjen e pajtueshmërisë mes palëve për hartimin e axhendës së daljes nga kriza”, vijoi Ahmeti.

Lideri i BDI-së tha se kriza aktuale nuk duhet të largojë axhendën e integrimit nga prioritet e qeverisë dhe bëri thirrje për raporte të mira ndëretnike, duke theksuar se destabilizimi i Maqedonisë nuk shkon në favor të askujt.

Top Channel