Kosovë, qeveria ndan 1 milion euro për arsimtarët

17/04/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të ndarë rreth 1 milion euro, me qëllim pagimin e përvojës së punës punonjësve të sektorit të arsimit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tha se mësimdhënësve do t’u paguhet përvoja e punës me nga 0.5 për qind të pagës për çdo vit të eksperiencës së tyre.

“Fillimi i aplikimit të kësaj pagese është dhe kërkesa kryesore e Kontratës Kolektive në sektorin e arsimit dhe është një fillim jashtëzakonisht i rëndësishëm për të implementuar këtë detyrim. Ndaj mendoj se me këtë ne po plotësojmë një nga kërkesat që kanë pasur arsimtarët”, deklaroi Bajrami.

Kabineti qeveritar ka vendosur gjithashtu që të krijojë një komision që do të përkufizojë përvojën e punës për të gjithë funksionarët në sektorin publik.

Në mbledhjen e së premtes, qeveria ndau edhe 2.6 milionë euro për shpronësimin e tokave për nevojat e Kontrollit Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Po ashtu, ekzekutivi ka aprovuar përbërjen e re të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili do të kryesohet nga kryeministri i Isa Mustafa, ndërsa do të përbëhet nga ministritë e sektorit të ekonomisë, odave ekonomike dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Top Channel