Një ditë para protestës, opozita: Të çlirojmë institucionet

17/04/2015 00:00

Partitë opozitare në Kosovë kanë zhvilluar të premten një tjetër takim ku është diskutuar koordinimi i aktiviteteve për protestën e ditës së shtunë.

Liderët e opozitës kanë dënuar gjuhën e përdorur një ditë me parë nga “dy kryeministrat” Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, siç iu refereruan ata kreut te qeverisë dhe zëvëndësit të tij.

“Ne dalim me qëndrimin e përbashkët, si opozitë e dënojmë gjuhën kërcënuese, gjuhën e frikësimit, gjuhë e cila u përdor dje në Parlament dhe në mbledhjen e qeverisë nga koalicioni dhe nga dy kryeministrat e Kosovës. Një gjuhë e cila i shkon më tepër regjimeve të cilat kanë frikë nga zëri i qytetarëve dhe jo një qeverisjeje demokratike”, deklaroi kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

“Reagimet e eksponentëve të qeverisë që kemi parë gjatë ditëve të fundit janë reagime të cilat flasin për një panik të kësaj qeverie, e cila po tregon qartë se i frikësohet qytetarëve të vet. Dhe një qeveri në një republikë demokratike që i frikësohet qytetarit, nuk mund të jetë as qeveri e republikës, as qeveri demokratike”, tha kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Ndërsa nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi përmendi një ndër kërkesat e protestës, që është largimi i bordit të televizionit publik, RTK, duke e cilësuar këtë institucion si zëdhënës të qeverisë. Ai ftoi qytetarët që të protestojnë edhe kundër kapjes së drejtësisë.

“I ftojmë të gjithë ata që e kanë parë se drejtësia në Kosovë është e kapur dhe duhet të çlirohet, sepse pikërisht manipulimi i qeverisë përmes institucioneve të pavarura, sidomos të atyre të rendit, ligjit dhe të drejtësisë, përbën një detyrim që të përkrahet protesta, në mënyrë që të heqim dorë nga ndërhyrja në këto institucione”, tha Isufi.

Partitë opozitare ftuan qytetarët që të protestojnë në mënyrë qytetare dhe paqësore, ndërsa kërkuan nga organet e rendit që të veprojnë mbi bazën e ligjit. Protesta e partive opozitare është paralajmëruar për ditën e shtunë, në ora 14:00.

Top Channel