Ditëlindje surprizë për anëtaren më të re të Ansamblit Kulturor në Lezhë. Ronela Legisi ka përjetuar një ndër ditët më të gëzueshme të jetës së saj, pasi në përvjetorin e 11, dhurata dhe festime surprizë ishin përgatitur për të nga Ansambli i Kulturës në Lezhë.

Ajo ka luftuar për shumë vite me sëmundjen e leuçemisë dhe tashmë është drejt shërimit. Në studion e “Pasdite në Top Chanel”, ajo tregoi se arti kishte ndikuar tek ajo, në mënyrën sesi e përballoi sëmundjen.

* Një shqiptare vlerësohet si studentja e huaj më e mirë në Universitetin e Venecias. Teuta Turani studion prej 4 vitesh në Itali, ku është diplomuar për ekonomi. Përveç studimeve, humanizmi është një tjetër fushë, ku Teuta është aktive.

Të drejtat e njeriut në Palestinë, ngrohja globale, miqësia italo-ballkanike janë të tjera angazhime të shqiptares. Ajo tregoi në “Pasdite në Top Channel” se do të mbajë një fjalim në sheshin historik “San Marco”, përpara 4 mijë vetave.

* Është vetëm 5 vjeç, por ka mbledhur 25 mijë dollarë për sëmundjen e vëllait. Na’ma Uzana, nga Toronto e Kanadasë, shet limonada pranë oborrit të shtëpisë, në mënyrë që të sigurojë parà për vëllain 7 vjeç, i cili është prekur nga sindroma “Angelman”, një sëmundje neurogenetike.

“Kjo limonadë do të shërbejë për të gjetur një kurë për një engjëll të vogël” thuhet në një nga pankartat, që ekspozohen në banak. Mijëra njerëz kanë shijuar limonadat e ëmbla, të përgatitura nga vogëlushja, që i shet ato për 50 cent.

Në muaj të ndryshëm nuk shet aq shumë, por vogëlushja nuk dekurajohet as prej të ftohtit, teksa shet edhe çokollata të nxehta e kekë. Që prej pranverës së shkuarës, Na’ma ka grumbulluar 25.000 dollarë dhe të dielën mori lajmin, se një çift kalifornian kishte dhuruar 20.000 dollarë për të krijuar një grant kërkimi për kurën, pasi kishin mësuar se djali i tyre i vogël ishte prekur nga e njëjta sëmundje si e vëllait të Na’mas.

Top Channel