Bamir Topi firmos me Edi Ramën, FRD pjesë e koalicionit të majtë

17/04/2015 00:00

Bisedimet e dy javëve të fundit mes Frymës së Re Demokratike të Bamir Topit dhe koalicionit qeverisës për zgjedhjet e 21 Qershorit kanë përfunduar me një marrëveshje.

Edi Rama dhe Bamir Topi pasditen e së premtes kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit, marrëveshje që nuk e pengon partinë e Bamir Topit të vijojë pozicionin e saj si parti opozitare në rang qeverisjeje qendrore.

“Fryma e Re Demokratike nuk ka kërkuar prej nesh ndonjë mbështetje për kandidaturë në ndonjë njësi vendore, por ka shprehur interesimin për të vlerësuar së bashku nëse mund të lidhim një marrëveshje për mirëqeverisjen vendore duke qenë pjesë e një koalicioni, duke ruajtur identitetin e palëve dhe duke u përpjekur modestisht për të ndërtuar një shembull të ri dhe emancipues për politikën shqiptare, ku si në vende të tjera të zhvilluara që i kanë kapërcyer me kohë këto nivele konfliktualiteti të lartë politik, parti në opozitë në nivel kombëtar, bashkëpunojnë në nivele lokale. Kjo ka qenë qasja e FRD-së dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë qasje si kontribut të posaçëm që kjo parti jep përmes këtij koalicioni. Jemi të vetëdijshëm që FRD është forcë në opozitë me qeverinë, një opozitë e një natyre të veçantë, qytetare dhe shumë europianizuese, por jemi të kënaqur që në këto zgjedhje do të jemi së bashku, për të përcjellë përmes këtij koalicioni këtë frymë qytetarie”, deklaroi kryeministri Rama.

“Erdhëm në një përfundim pozitiv të bisedimeve. Është shumë e rëndësishme që të rimerret nga publiku i gjerë rikonfirmimi i FRD-së si një parti e qendrës së djathtë. Këto janë zgjedhje administrative. Besoj përmes këtij bashkëpunimi, që së pari është mbi bazën e një vullneti politik, e dyta mbi bazën e një vullneti qytetar dhe e treta për të dhënë tek njëri-tjetri të gjitha potencialet intelektuale dhe profesionale për të shkuar në administrimin e qyteteve që është dëshira unike e qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që ajo që projektohet për qytetet, duhet të realizohet”, deklaroi nga ana e tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi.

Garën për Tiranën Bamir Topi e quajti si të jashtëzakonshme dhe të rëndësishme pasi sipas ish presidentit, kryeqyteti është zemra e kombit e cila tha ai, vuan shumë dhe ka nevojë për ndërhyrje kardio-kirurgjikale, gjë e cila kërkon profesionalizëm dhe njerëz të dedikuar.

Top Channel