Irak, vritet ndihmësi i Saddamit, udhëheqës i kryengritjes sunite

17/04/2015 00:00

Ezzat Ibrahim al-Douri, ish-ndihmës i presidentit të ndjerë të Irakut, Saddam Hussein, dhe lider i kryengritjes së sunitëve irakianë, mund të jetë vrarë nga forcat irakiane dhe milicitë shiite gjatë përplasjeve mes tyre.

Douri raportohet të jetë vrarë gjatë një operacioni ushtarak, sipas deklaratave të Raed al-Jubouri për “Reuters”, guvernator i provincës Salahuddin. Edhe rrjeti televiziv arab “al-Arabiya” shfaqi fotot e viktimës, i cili ngjante me al-Douri.

Gjithsesi, Khdhayer Almurshidy, një zëdhënës i ish-partisë Baath të Irakut, tha për një televizion irakian se raportimet nuk janë të vërteta. Al-Douri ka qenë një figurë e lartë e asaj partie.

Al-Jubouri tha gjithashtu se “një grup forcash sigurie shkuan për të rrethuar zonën gjatë operacionit dhe vranë të gjithë terroristët e kapur. Tre prej tyre ishin veshur me jelekë-bombë dhe hodhën veten në erë. Mes trupave ishte edhe ai i Dourit”.

Operacioni raportohet të ketë ndodhur në zonën Hamrin, pranë al Alamit në provincën Salahuddin, por forcat irakiane mësohet se nuk kanë qenë në dijeni për praninë e al-Dourit në vendngjarje.

Jubouri foli për “al-Arabiya” duke e përshkruar operacionin si një fitore madhore, pasi siç u shpreh ai, “al-Douri konsiderohej si truri i operacioneve të grupit terrorist që u sulmua”, që në fakt ishin pjesëtarë të Shtetit Islamik, një degë e ndarë nga al-Qaeda e që ka pushtuar territore të tëra në Siri dhe Irak.

“Sigurisht që kjo goditje do të ketë ndikim tek ata. Besoj se do të ketë përçarje mes tyre”, tha ai.

Top Channel