Tiranë, pranga 9 zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim

17/04/2015 00:00

9 persona, punonjës të Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, janë vënë në pranga nga Polica e Shtetit nën akuzën e korrupsionit.

Ata dyshohet se u merrnin shuma të konsiderueshme parash pronarëve të pikave të lojërave të fatit çdo muaj në këmbim të lejimit të aktivitetit të tyre të paligjshëm.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Stop”, fillimisht mbrëmjen e së mërkurës janë arrestuar Kreshnik Kasaj, menaxher i një pike lojërash fati dhe Metjon Bijo, specialist i hetimit në Drejtorinë e Tatimeve, ndërsa pasditen e së premtes, pas vendimeve të gjykatës, janë arrestuar Jani Berukas, Tefik Mallkuçi e Valentin Loka, punonjës të Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit; Petrit Ahmetaj, inspektor i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës si dhe Mensur Hoxha dhe Trendafil Tarja, specialistë të Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për personin me inicialet I.R.

Gjithashtu, në kuadër të këtij hetimi janë shpallur në kërkim tre shtetasit me inicialet A.M, K.D dhe X.B, për të cilët po punohet për kapjen e tyre.

Sipas policisë, shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri- tjetrin, duke shpërdoruar detyrën janë përfshirë në afera korruptive me kompani të basteve sportive dhe subjekteve të ndryshme të lojërave të fatit, të cilët kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma parash, që variojnë nga 90.000 deri në 100.000 lekë të rinj, në periudha te ndryshme kohore.

Nga ana tij, Sektori Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, së bashku me Prokurorinë janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të skemës korruptive, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Top Channel