Minxhozi: Kandidaturat më të përshtatshme që mund të gjenden

17/04/2015 00:00

Dy partitë e mëdha kanë mbyllur ciklin e kandidaturave për zgjedhjet lokale, ku në sprintin e fundit bien në sy kandidaturat e Tiranës. Dy emra që përfliteshin ditët e fundit, ndoshta Erion Veliaj disa kohë më parë, se rivali i tij Halim Kosova. Për këtë çështje dhe të tjera nga aktualiteti, i ftuar në studion e lajmeve qendrore në Top Channel ka qenë Skënder Minxhozi.

TCH: U duk sikur kishim një proces të vështirë, por kjo thjesht në dukje, pasi emrat që dolën dje qarkullonin prej kohësh. Si i shihni kandidaturat e shpallura nga PS dhe PD? A janë ato përfaqësuese, apo për të përmendur termat e përdorura nga liderët politikë “gjithëpërfshirëse”?

Skënder Minxhozi: Mendoj se të gjesh kandidatura gjithëpërfshirëse mes dy partive të mëdha është në kufijtë e të pamundurës. Janë parti që me përmasat e tyre të mëdha kanë grupime, rryma dhe frymëzime të ndryshme, qoftë dhe mendime e ide të ndryshme që përplasen. Kandidaturat do t’i quaja jo gjithëpërfshirëse, por më të përshtatshmet që mund të gjenden, për situatën që po kalojnë konkretisht dy forcat politike, për qasjen që ato kanë sipas pozitës dhe interesave të tyre në raport me zgjedhjet në Tiranë, për pikën e origjinës nga vijnë dhe ku duan të shkojnë. Pra janë dy qëndrime dhe pozita krejt të ndryshme në raport me garën e Tiranës, që kanë prodhuar edhe këta dy kandidatë. Nga njëra anë Erion Veliaj, njëri nga ministrat më të suksesshëm të Qeverisë “Rama”, një njeri i cili në këto dy vite ka prodhuar një produkt të tijin. Është një person dhe politikan karriere dhe jo një person që ka hyrë në garë për të dalë pas pak kohësh prej saj. Një njeri që besohet se do t’i japë të majtës, pas dy vitesh qeverisjeje me nota gri, një entuziazëm në Tiranë dhe besohet se do të fitojë edhe sfidën kryesore që ai ka personalisht, kompaktësimi i partisë dhe i bazës së saj në kryeqytet dhe një partneritet me LSI-në korrekt për të maksimalizuar votën e majtë, që në Tiranë nuk mungon. Nga ana tjetër kemi mjekun e nderuar dhe me reputacion në Tiranë, Halim Kosova, i cili pasqyron atë dilemë të brendshme që pati PD në zgjedhjet e Tiranës për një kohë jo të shkurtër, që lidhet kryesisht me faktin që PD dhe kryetari i saj u tregua i paaftë jo vetëm në kryeqytet por në të gjithë vendin, për të mbajtur aleatët që kishin, për të mos lejuar daljen e kandidatëve të pavarur, për të negociuar mirë me Mediun dhe Ndokën apo me gjithë të tjerët, çka nuk i bëri. Jemi në një pozitë ku Halim Kosova lihet politikisht i vetëm në Tiranë, mbi të gjitha për të mbrojtur një 4-vjeçar të Lulzim Bashës në krye të Tiranës, i cili ka qenë aspak pozitiv.

TCH: Gara për Tiranën do të ketë edhe tre kandidatë të tjerë, të pavarur apo të regjistruar në siglën e ndonjë partie të vogël. Sa do të ndikojnë këta të tre në votat e përgjithshme? Mendoni se ka një pjesë të elektoratit, që ndihet i lodhur, i zhgënjyer dhe i papërfaqësuar nga partitë e mëdha, që do të rrisë votat për këta kandidatë?

Skënder Minxhozi: Do të thoja se shqiptarë të zhgënjyer ka shumë dhe jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Vetë kronikat tuaja të ikjeve nga të gjitha pikat kufitare e tregojnë indirekt këtë gjë. Por në Tiranë ndodh një fenomen që është dyfish përfaqësues i këtij humori gri. Ka një konsum të opozitës në qeverisjen vendore, është pikërisht 4-vjeçari i zotit Basha, i cili me siguri ka bërë shumë të pakënaqur nga ata që e kanë votuar në vitin 2011. Është gjithashtu edhe qeverisja qendrore 2-vjeçare e Edi Ramës, që ka krijuar shumë kosto me reformat e tij të dhimbshme dhe antipopullore në momente të caktuara. Kjo krijon drejtpërdrejt hapësirë dhe avantazh që 3 kandidatë të pavarur, kandidatura serioze e Gjergj Bojaxhiut, por edhe Sazan Guri me Arben Tafajin, të luftojnë për të marrë votat e tyre, çka e bën realisht demokratike garën. Këtu jam plotësisht dakord me zotin Meta, i cili tha se fakti që janë edhe kandidatura të pavarura tregojnë shëndetin e demokracisë shqiptarë gjatë paradites. Fakti që kanë garë dhe persona të tjerë, që nuk bëjnë pjesë në grupimet e mëdha politike, i jep zë edhe atyre votave që nuk e gjejnë veten në këto parti të mëdha dhe që do të donin të votonin kandidatura alternative.

TCH: Kemi edhe një fenomen që po ndodh së fundi. Shumë njerëz po largohen nga Shqipëria dhe fenomeni po merr formën e një eksodi masiv. E shihni këtë thjesht si një problematikë trafikimi, apo për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale po kthehemi 20 vite pas, kur shqiptarët detyrohen të largohen për shkak se nuk shohin të ardhme në vendin e tyre dhe një jetë më të mirë kudo jashtë, në Perëndim?

Skënder Minxhozi: Kam përshtypjen se janë bashkuar dy fenomene negative: mjerimi dhe spekulimi. Ka shumë mjerim në provincën shqiptare dhe një mori problemesh: të vjetra, të reja, të pazgjidhura kurrë, të zgjidhura përgjysmë, të mbartura, të zgjidhura keq, të premtuara dhe të mos mbajtura. Nëse del jashtë Tiranë dhe viziton fshatin e sotëm shqiptar, e sidomos ato në zonat e thella malore, sheh se vërtet njerëzit pyesin veten gjatë gjithë ditës pse jetojnë këtu në Shqipëri. Është një dilemë e madhe kjo. Nga ana tjetër, përmendim fshatrat e Dumresë, ku trafikantë të ndryshëm bënin premtime boshe, siç ka ndodhur edhe në Vlorë ku njerëzit përgatiteshin me valixhe dhe dilnin te Porti i Vlorës për të shkuar me anije drejt Italisë, me anë të agjencive turistike të kamufluara. Këtu në fakt nuk e kuptoj sesi shteti shqiptar nuk arrin të zbulojë këto rrjete dhe persona, sepse këtu kemi një kundravajtje të madhe ligjore, që të luhet me shpresat dhe dëshpërimin e shqiptarëve, duke u premtuar atyre diçka që nuk ekziston.

Top Channel