Serbia është para dilemave të mëdha, t’i thotë “po” apo “jo” vizitës së ministrit të Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, në Beograd. I ftuar nga një organizatë rinore, Thaçi si ministër i Jashtëm paraqet problem për opinionin.

Njeriu më i demonizuar në opinionin serb, që i faturon atij krime ndaj serbëve e që konsiderohet si fajtori kryesor për marrjen e Kosovës, me disa aktakuza të ngritura, ai është me një funksion politik në këtë vizitë, që mund të ndihmojë normalizimin.

Organizatorët, që e kanë ftuar në konferencën për integrimin e Ballkanit Perëndimor, thonë se varet nga Qeveria e Serbisë. Ata nuk kanë pasur qëllim të keq, por janë ftuar të gjithë ministrat e Jashtëm të rajonit.

“Ne nuk zgjedhim se kush do të jetë ministër i Jashtëm në qeveritë e rajonit. Hashim Thaçi është ministër i Qeverisë së Kosovës. Ne nuk jemi marrë me punët e shtetit ku do të organizohet konferenca dhe, nëse ka shqetësime me sigurinë, atëherë Qeveria e Serbisë do ta thotë fjalën e saj”, tha Naim Leo Beshiri, Këshilli i të Rinjve për Edukim.

Kjo organizatë thotë se, megjithatë, politikanët do të duhej të çojnë mesazhe për pajtim dhe mosardhja e tyre nuk do të ndikojë në konferencë.

“Me sa di unë, shumica e politikanëve në rajon kanë qenë dëshmitarë të gjërave, që kanë ndodhur gjatëve viteve ’90. Ndaj dhe ata do të mund të thoshin fjalë paqeje dhe mesazhe për ripajtim, pavarësisht se ata, ndoshta as vetë nuk besojnë në një gjë të tillë”, tha më tej Naim Leo Beshiri.

Por, në opinionin publik në Serbi, situata ka shkuar deri te një përballje para një akti të kryer. Dhe për Thaçin, përveç të tjerash, në Serbi është ngritur edhe padi për shkeljen e rendit kushtetues për shpalljen e Pavarësisë. Disa kanë paralajmëruar arrestimin e tij. Me gjithë këtë, ministrat kosovarë e kanë vizituar edhe më parë Serbinë, madje deri më tani kanë qenë 5 të tillë në kryeqytetin serb.

Top Channel