Fier, Basha prezanton kandidatin Enkelejd Alibeaj

17/04/2015 00:00

Duket se Lulzim Basha ka zgjedhur, që kandidaturat për kryetar bashkie t’i prezantojë jo nga selia e partisë, por në rrugët e qyteteve. Të njëjtën gjë bëri edhe pasditen e së premtes, kur në Fier prezantoi kandiatin e Partisë Demokratike për kryebashkiak, Enkelejd Alibeajn.

Sipas Bashës, Alibeaj është nga ata politikanë, që nuk i druhen askujt.

“Sot kam në krahun tim një mik të vjetër, ndonëse një djalë të ri, i cili kurrë nuk ka hezituar ta thotë mendimin e tij, troç dhe pa dorashka, edhe kur nuk i pëlqente kryetarit të partisë. E ka thënë këtë mendim dhe i ka ngritur çështjet e tij si pakkush; shkurt, saktë, bindshëm dhe me elokuencë; ashtu siç dinë të bëjnë banorët e kësaj treve, banorët e këtij qyteti, fierakët e vërtetë. Demokratët e votojnë dhe do ta votojnë Enkelejd Alibeajn për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Fierit”, tha kreu i opozitës Lulzim Basha.

Por, sipas Alibeajt kjo e ka një shpjegim.

“Edhe nëse kam qenë ndonjëherë kokëfortë, kjo buron thjesht dhe vetëm se këta njerëz, shpirti i tyre kërkon drejtësi”, tha kandidati i PD-së për kreun e Bashkisë së Fierit, Alibeaj.

Duke u treguar i kujdesshëm, për të përfshirë të gjithë komunitetet që jetojnë në Fier, Enkelejd Alibeaj kërkoi votën e tyre.

“Në qoftë se marr përsipër, me kënaqësinë më të madhe dhe me detyrimin më të madh, që të gjithë së bashku ta udhëheqim Fierin drejt një historie të re, kjo ka brenda brengën e çamëve, dhimbjen e madhe të kosovarëve”, tha Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj do të garojë për Bashkinë e Fierit përballë Armando Subashit të Partisë Socialiste, forcë kjo që e qeveris qytetin prej 14 vitesh.

Të majtët e konsiderojnë Fierin bastion të tyre, por ndarja e re administrativo-territoriale dhe hyrja në garë e Enkelejd Alibeajt premtojnë një betejë të fortë për Bashkinë e këtij Qarku.

Top Channel