Vettel optimist, Raikkonen “i akullt”: Jemi afër, por të përmirësohemi

17/04/2015 00:00

“Shpresojmë që në këtë garë të bëjmë një hap përpara edhe më të madh. Duket që jemi shumë pranë tyre, por edhe Mercedesi është përmirësuar shumë”.

Kështu është shprehur gjermani Sebastian Vettel pas provave të lira të së premtes, në “Sakhir” të Bahreinit, ku ditën e nesërme do të zhvillohen xhirot e shpejta për “pole position”, ndërsa të dielën më 17:00 në Top Channel dhe Top Channel HD gara për Çmimin e Madh.

Vettel është shfaqur i kënaqur në këto prova, gjatë të cilave Ferrari e pa veten edhe në kryesim për pak kohë, ose më saktë gjatë sesionit të parë, për t’u përmbysur sërish në sesionin e dytë nga “shigjetat e argjendta”.

“E megjithatë, kemi ende shumë për të punuar”, tha 4 herë kampioni i botës në Formula 1 me “Red Bull”-in. Sa i përket kontaktit me makinën Force India të Perezit, gjermani është shprehur se “është e njëjta histori. Dola nga bokset dhe nuk mund të përshpejtoja. Makina e Perezit më zuri krahun dhe më pas doja të shkoja tek ai për ta sqaruar”.

Ndërkohë, Kimi Raikkonen është shfaqur më i tërhequr. “Nuk kam parë kohët e xhirove, është ende herët për këtë. Nuk shkoi mirë siç do dëshiroja, kemi pasur vështirësi në disa sektorë të pistës, por do të përpiqem të përmirësohem dhe të kem një makinë më të mirë për kualifikueset”.

Top Channel