Rinovimi, Raikkonen kërkon qëndrimin. Arrivabene: Varet nga rezultatet

17/04/2015 00:00

“Kimi dëshiron të vazhdojë edhe më tej, këtë ia ka bërë të qartë skuderisë”. Steve Robertson, menaxher i finlandezit të Ferrarit, i dërgon kështu sinjale të pashmangshme italianëve me seli në Maranello.

“Njeriu i akullt” është i lidhur me “kokëkuqen” nga një kontratë që skadon në fund të këtij sezoni, por dëshiron të vazhdojë aventurën e tij. “Të gjithë janë shprehur pozitivisht, skuadra është e lumtur për kontributin e tij dhe vazhdueshmërinë që ka. Bisedimet kanë qenë pozitive, por ka një diferencë mes diskutimeve dhe nënshkrimit në letër. Megjithatë çdo gjë po shkon siç duhet dhe ai dëshiron të jetë pjesë e këtij rikthimi të fuqishëm të Ferrarit”.

Por, e menjëhershme ka qenë edhe përgjigjja e Maurizio Arrivabebe, drejtues teknik i Ferrarit, i cili nuk ka pritur më shumë të flasë për këtë çështje. “E ardhmja e Kimit? Ia kam thënë drejtpërdrejt se varet vetëm nga performanca e tij. Është ende herët të flasim, por ai e di që duhet të japë më shumë. Jemi të kënaqur prej tij, por duhet të fitojë. Ai është një person që i pëlqen kur i flet drejtpërdrejt”, tha kreu i ri menaxherial i “kokëkuqes”.

Top Channel