Zgjedhjet vendore, Peleshi: Takim unifikues i 61 kandidatëve të majtë

18/04/2015 00:00

Kandidatët e Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim
në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit janë takuar këtë të shtunë, në
sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve, në Tiranë.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që të pranishëm në këtë takim ishin dy kryetarët, Edi Rama dhe Ilir Meta, si dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar.

Pas mbledhjes, deputeti Taulant Balla tha për mediat se 61 kandidatët e zgjedhur nga e majta do të jenë fitues në zgjedhjet e 21 Qershorit, duke vlerësuar përzgjedhjen e tyre.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi se në takim nuk është diskutuar për detaje, por synim mbetet zhvillimi i një fushate me tone pozitive dhe qytetare.

“Ky ishte takimi i parë unifikues i 61 kandidatëve tanë për zgjedhjet. Kandidaturat e koalicionit të zgjeruar do të futen në fushatë me një frymë pozitive, larg toneve të ashpra politike, por duke bërë apel për transformim urban të bashkive”, tha Peleshi.

Top Channel