Gjuriç: Nuk ka ftesë për Thaçin në Beograd

18/04/2015 00:00

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar të shtunën se zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka kërkuar zyrtarisht leje për të vizituar Beogradin. Por pavarësisht kësaj, një vizitë të tillë Gjuriç e ka cilësuar një “stuhi në gotën e ujit”.

“Zoti Thaçi nuk ka kërkuar leje për vizitë dhe Serbia nuk ka organizuar asnjë takim ku ai të mund të marrë pjesë”, ka thënë Gjuriç për televizionin publik serb.

Duke nënvizuar se një aktivitet të tillë nuk e ka organizuar as bashkësia ndërkombëtare, zyrtari serb ka theksuar se, “kjo është një stuhi në gotën e ujit dhe një shmangie e vëmendjes nga temat më të rëndësishme”.

Megjithatë, i pyetur se cili do të ishte reagimi i Beogradit në rast se Thaçi do të ishte në Serbi për një tubim joqeveritar, Gjuriç ka thënë se ai do të trajtohet si çdo qytetar i Serbisë.

“Edhe në këtë aspekt, ky qytetar i yni do të ishte objekt i punës së institucioneve të caktuarta, në harmoni me ligjin tonë”, ka shtuar Gjuriç.

Top Channel