Prishtinë, policia rrethon godinat zyrtare para protestës

18/04/2015 00:00

Pak para fillimit të protestës së opozitës, njësi speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese, ku do të kalojnë protestuesit, ndërsa agjentë të tjerë janë vendosur pranë institucioneve të tjera kundër të cilave do të protestohet.

“Në kuadër të planit operativ janë marrë masat për riorientimin e trafikut në rrugë alternative përgjatë kohës që protestuesit do të kalojnë. Policia kërkon mirëkuptim dhe apelon tek të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete gjatë manifestimit”, thuhet në një komunikatë për shtyp të policisë.

Ndërkohë, lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj këtyre masave duke i cilësuar ato një provokim të policisë.

“Policia ka nisur provokimin e protestuesve. Ata që janë nisur nga Prizreni prej gjysmë ore mbahen të ndaluar nga policia, e cila po kontrollon secilin prej tyre. I bëjmë thirrje policisë që të mos vazhdojë me provokimet e saj që synojnë të vonojnë protestuesit”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Top Channel