Protesta e opozitës në Prishtinë, qindra njerëz kundër qeverisë

18/04/2015 00:00

Ndryshe nga herët e tjera,  opozita të shtunën në Prishtinë ka gërshetuar dy forma proteste, me aksione simbolike në institucione dhe tubim para godinës së Qeverisë. 

Aksionet janë organizuar para institucioneve si Gjykata Kushtetuese, Korporata Energjitike e Kosovës e Radio Televizioni i Kosovës, të cilat opozita i quan të kapura nga partitë në pushtet.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti” , protestuesit kanë shkuar drejt Gjykatës Kushtetuese, muret e së cilës i kanë lyer me ngjyrë të zezë për shkak se sipas opozitës ky institucion është kapur nga pushteti dhe shërben vetëm për interesa të pushtetit.

Protestuesit kërkuan që kryetari i Gjykatës Kushtetuese urgjentisht të japë dorëheqje. Kete institucion e akuzojnë si shkelësin kryesor të kushtetutës për shkak të vendimeve sipas tyre pro partive në pushtet.

“Në shumë raste kjo gjykatë ka dështuar në këtë drejtim, ashtu që e ka favorizuar politikën ditore në dëmin e Kushtetutës, pra të rendit jurik të Kosovës, të të gjitha ligjeve” – thotë Riza Smaka nga AAK.

Protestuesit kanë vazhduar protestën tek Korporata Energjetike e Kosovës, ku në oborrin e zyrave qendrore thyen disa matës dixhitalë të energjisë, të cilat sipas organizatorëve nuk e masin drejt shpenzimin e energjisë dhe rrjedhimisht u faturojnë më shumë qytetarëve energjinë e shpenzuar.

“Zgjidhja nga kjo situatë është ulja e çmimit të energjisë dhe shkarkimi i bordit të ZRRE. Pra nuk ka më simbolike se ajo e shkarkimit të Bordit dhe duam dritë. Kosova po vuan në terr prej vitesh” – deklaron Izet Ibrahimi, nga Nisma për Kosovën.

Marshimi protestues ka vazhduar nëpër qendër drejt ndërtesës së Radio Televizionit Publik, ku u vendos një megafon i madh, pasi opozita vlerëson se televizioni publik nuk po i shërben qytetarëve, por pushtetit të kapur nga liderët e koalicionit qeveritar.

“Në vend se Radio Televizioni i Kosovës të jetë në shërbim të publikut, ajo se çfarë kemi parë deri tani është se RTK për gjatë gjithë kohës është në shërbim të interesave partiake, ose thënë më mirë, është shndërruar herë në zëdhënës të Thaçit dhe herë të Kadri Veselit” – u shpreh Albulena Haxhiu.

Protesta e subjekteve opozitare është përmbyllur para objektit të qeverisë ku po ashtu është realizuar një aksion simbolik në shenjë pakënaqësie me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Marshimi në destinacionet e përcaktuara më herët nga organizatorët është zhvilluar pa incidente.

Top Channel