Tiranë, nisin punimet për xhaminë e Namazgjasë

18/04/2015 00:00

Pas një kalvari të gjatë kanë nisur punimet për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

Mbrëmjen e së enjtes filluan punimet e para për ndërtimin e objektit të kultit.

“Falë të Madhit Zot, sot ne jemi dëshmitarë të gjithë së bashku, me ju, gjithë qytetarëve dhe myslimanëve të Shqipërisë që kemi punime konkrete për xhaminë e Namazgjasë. Kërkesa e parë për nevojën e ndërtimit të një objekti kulti, xhamie është që në vitin 1938, ndoshta jo të këtyre përmasave atëherë, por vetëm sot pas 77 vitesh saktësisht, jemi në fazën konkrete të fillimit të punimeve në terren”, thotë Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Xhamia e Tiranës do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 5200 metër/katror. Ajo do të ketë dy kate nëntokë, ndërkohë që kupola do të ketë një  lartësi prej 36.28 m dhe minaret e saj do të jenë 56.28 metër.

Ngjitur me xhaminë nuk do të ketë një qendër tregtare, ashtu siç ishte parashikuar në projektin e mëparshëm, por një muze të besimeve fetare me të shkuarën dhe harmoninë që ekziston ndërmjet tyre.

“Do të kemi xhaminë e Namazgjasë që shtrihet në një gjurmë të ndërtimi 5200 m/katrorë, ndërsa vetë objekti është në sipërfaqen, 2415 metra, ndërkohë që me shpronësimin që qeveria i bëri sipërfaqen ngjitur me pronësinë e Komunitetit Mysliman, ka parë të arsyeshme, dhe me shumë të drejtë, të krenarisë së çdo shqiptari, për të ndërtuar një muzeumi të religjonit. Plotëson aureolën e të gjitha besimeve që janë në Shqipëri”, shton Myftiu Gurra.

Ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë është mbështetur nga Komuniteti Mysliman i Turqisë përmes një vlerë prej 30 milion eurosh.

Ndërtimi i saj, sipas lejes së dhënë, pritet që të përfundojë  brenda 4 viteve, por myftiu i Tiranës thotë se xhamia e Namazgjasë do të përfundojë brenda 36 muajve.

Top Channel