Milo: Në bisedime me PS deri në ditën e fundit

18/04/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo deklaroi se do të jetë në negociata me Partinë Socialiste deri në ditën e fundit që e lejon ligji.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të Demokracisë Sociale, Milo tha se nëse nuk do të arrihet një marrëveshje bashkëpunimi, atëherë partia e tij do të shikojë të tjera mundësi.

“Komiteti Drejtues Kombëtar vlerësoi qëndrimet e mbajtura deri në këtë kohë në kërkim të zbatimit të marrëveshjes për bashkëpunim elektoral dhe qeverisje me Partinë Socialiste në Maj të vitit 2013. Duhen respektuar parimet programore dhe morale në ndërtimin e aleancave për të qenë afatgjata dhe të dobishme. Pragmatizmi, interesat e përkohëshme dhe qëndrimet konjukturale nuk u shërbejnë krijimit dhe forcimit të aleancave të shëndetëshme të mirëqeverisjes pas zgjedhjeve të 21 Qershorit. Duke shprehur vullnetin e PDS për të kontribuar në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që të zhvillojë bisedime të mëtejshme dhe në frymë parimore me partitë e tjera politike për ta radhitur atë në aleancën më të dobishme dhe me interesa konkrete elektorale dhe qeverisjeje”, deklaroi Milo.

Top Channel