Kosovë, opozita 2 javë kohë qeverisë për kërkesat e saj

18/04/2015 00:00

Liderët e partive opozitare i dhanë 2 javë kohë Qeverisë së Kosovës që të reflektojë ndaj kërkesave të protestës; shkarkimi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ulja e çmimit të energjisë elektrike, shkarkimi i drejtuesve të Televizionit Publik dhe shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Para mijëra protestuesve përballë selisë së Qeverisë, stacioni i fundit i protestës, folën liderët e opozitës kosovare: kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj dhe i Nismës për Kosovën,  Fatmir Limaj.

“Këta në të vërtetë nuk janë burra shteti, por janë burrecë pushteti! Këta duan t’i bëjnë varrin demokracisë, por ky popull nuk është dorëzuar asnjëherë përballë asnjë shtypësi, asnjë diktature, nuk do të dorëzohemi as përballë këtij pushteti minidespotësh” – deklaroi kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

“Ne u japim afat kohor dy javë institucioneve të vendit që të reflektojnë këto kërkesa. Protesta e sotme ka sjellë një porosi për pushtetarët, ndryshoni, ndaluni dhe reflektoni për këto kërkesa, ndryshe do të ballafaqohemi në të ardhmen” – tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Pavarësisht ngjyrave politike, sot vendi, shteti kërkon të bashkohemi, të gjithë ata që janë të pakënaqur duhet të dalin këtu dhe t’ia heqin besimin kësaj qeverie e cila në emër të popullit po rrënon shtetin e Kosovës” – u shpreh kreu i Nismës, Fatmir Limaj.

Pas fjalimeve të liderëve opozitarë, protestuesit u shpërndanë menjëherë për shkak të shiut të dendur që filloi në përfundim të protestës.

Në lidhje me pjesëmarrjen në këtë protestë, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kanë qenë mbi 20 mijë protestues, shifër për të cilën ka kundërshtuar versionin e policisë se kanë qenë rreth 2500 protestues.
Por pavarësisht debatit të shifrave, për qeverinë e Kosovës vlerësoi në një deklaratë për shtyp kulturën e demonstruar nga protestuesit.

Qeveria e Kosovës vlerëson, po ashtu, organet e rendit për përkushtimin e tyre për të siguruar kushte normale për protestuesit dhe për të siguruar objektet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.”

Top Channel