Obama, skeptik për Iranin: Rikthehen sanksionet nëse ka shkelje

18/04/2015 00:00

Gjatë një takimi në Uashington me disa diplomatë të huaj dhe me kryeministin italian Mateo Renzi, presidenti Obama në fokus të bisedimeve kishte faktin se të gjithë së bashku duhet të përdorin negociata kreative mbi sanksionet e Iranit.

Ky konstatim i kreut të Shtëpisë së Bardhe ka ngjallur diskutime, pasi herën e fundit kur Obama iu adresua kësaj çështjeje, fokusi i tij ishte tjetër dhe dukej më tepër optimist në arritjen e marrëveshjes me Teheranin.

Obama nuk përsëriti faktin se sanksionet do t’i hiqen Iranit me faza. Por në vend të kësaj ai kërkoi që të krijohej një plan rezervë nëse qeveria e Teheranit do të kapej mat, duke shkelur mbi pikat e ujdisë për uraniumin që zotëron.

Një analize e “Neë York Times” shkruan se me shumë gjasa ky qendrim i presidentit amerikan ka ardhur si pasojë e insistimit të Iranit gjatë ditëve të fundit, se sanksionet ndëshkuese duhet t’u hiqen sa më shpejt.

“Sanksionet edhe mund të pakësohen, por nëse ka shkelje Irani duhet ta dijë se ka shumë mekanizma të ndryshme që i kthejnë prapë në fuqi ato, madje në mënyra të ndryshme. Shqetësimi ynë kryesor këtu është të sigurohemi që Irani do t’i qëndrojë marrëveshjes. Ne nuk mund t’i heqim sanksionet vetëm për t’i plotësuar qejfin atyre, theksoj ky është shqetësimi ynë kryesor. Megjithatë jam i bindur se me John Kerry-n në krye të këtyre negociatave të rëndësishme, gjërat do të shkojnë në rrugën e duhur”, tha Obama.

Ndërkohë republikanët dhe demokratët mbeten shumë skeptikë. Negociatorët do të takohen në Vjenë javën e ardhshme për të rifilluar bisedimet që kanë për qëllim krijimin e një marrëveshjeje përfundimtare.

Përveç çështjes së sanksioneve, konteksti do të përfshijë dhe sesa shpesh do ta vizitojnë Iranin inspektorët ndërkombëtarë për të parë nga afër se çdo të ndodhë me pasurinë e tij bërthamore.

Top Channel