ISIS merr përsipër sulmin ndaj konsullatës amerikane

18/04/2015 00:00

ISIS mori përgjegjësinë për shpërthimin pranë konsullatës amerikane në qytetin e Irbilit në Irak. Sulmi i mori jetën 4 personave si edhe la të plagosur dhjetra të tjerë.

Nuk dihet përkatësia kombëtare e viktimave, por zëdhënësja e Departamentit të Shtetit deklaroi se personeli është shëndoshë e mirë.

ISIS përmes postimeve nëpër rrjete sociale thotë se godina amerikane ishte objektivi i tyre dhe ai u realizua me sukses.

Policia e irakut arriti në përfundimin se ishin dy bomba të vendosura njëra pas tjetrës, e para  pranë konsullates, ndërsa tjetra në një zonë popullore, me njerëz të shumtë dhe lokale.

Departamenti i Shtetit falenderoi qeverinë  kurde që do të hetojë shpërthimin e bombës së bashku me ta. Në një deklaratë nga Uashingtoni thuhej se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Rajonit të Kurdistanit të Irakut dhe të gjitha irakianëve duke punuar së bashku në përballjen e këtyre akteve terroriste me synimin e përbashkët; shkatërrimin e ISIS.

Situata në Irak duket se është në favor të këtij koalicioni, forcat vendase kanë fituar territor në rafinerinë e naftës Baji, një nga më strategjiket në Irakun verior.

Top Channel