Rasmussen: Rusia, më e rrezikshme sot

18/04/2015 00:00

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka paralajmëruar se Rusia po përdor taktika hibride për të përhapur luftën në gjithë Europën. Anders Fogh Rassmusen dha një deklaratë të fortë për të përjavshmen “Newsweek”, mbi mënyrën sesi ai e percepton ai përplasjen lindje-perëndim.

Ish sekretari i NATO-s  pohoi se Rusia është bërë më e rrezikshme tani sesa gjatë kohës kur ishte pjesë e Bashkimit  Sovjetik, duke shprehur frikën se Kremlini mund të përdorë të njëjtën taktikë ushtarake jo vetëm në Ukrainë. Marrëdhëniet mes Europës dhe Rusisë janë në pikën më delikate  që prej Luftës së Ftohtë për shkak të konfliktit në Ukrainë. Gjithashtu inkursionet në rritje të ushtrisë ruse në hapësirën ajrore europiane kanë sjellë edhe në tensionin në rajon.

Rasmussen pretendon se Rusia po përdor një propagandë të sofistikuar. Sipas tij Moska po ndikon në opinionin publik “përmes lidhjeve financiare me disa parti politike brenda vendeve të  NATO-s, si edhe po angazhohet në disa OJQ”.

E vërteta është se partitë nacionaliste të krahut të djathtë apo të majtë kanë shprehur simpati për Rusinë , të tilla si në Bullgari, Francë, Hungari dhe Greqi. E ndërsa kur u pyet sesi do ta komentonte vizitën e Tsipras në Moskë, Rasmusen u shpreh se Rusia nuk mund ta ndihmojë Greqinë ekonomikisht. Ai beson se grekët janë “duke luajtur me zjarrin”.

Me përvojën e tij të gjatë si pjesë e NATO-s, 62-vjeçari tha se Rusia kohët e fundit po e paralajmëron shpesh perëndimin, duke i kujtuar fuqinë e saj bërthamore. Shefat e sigurisë europiane kanë shprehur gjatë shqetësimet e tyre për metodat hibride të Rusisë.

Rasmussen tha se Perëndimi duhet të forcojë strategjitë kundër kërcënimeve hibride dhe të investojë më shumë në sigurinë kibernetike dhe inteligjencës.

Top Channel