Real Madrid fiton ndaj Malagës, por humbet 2 lojtarë: Bale dhe Modric

19/04/2015 00:00

Real Madrid fitoi me rezultatin 3-1 ndeshjen ndaj Malagës, por humbi për shkak dëmtimi dy lojtarë të rëndësishëm të formacionit bazë: Gareth Bale dhe Luka Modric.

Falë golave të Sergio Ramos, James Rodriguez dhe Cristiano Ronaldo, madrilenët i qëndrojnë dy pikë larg Barcelonës kryesuese, që nga ana e saj mundi në Camp Nou skuadrën e Valencias me rezultatin 2-0 (Suarez dhe Messi autorët e golave), por në prag të çerekfinales ndaj Atletico Madrid në Champions do i duhet të bëjnë pa sulmuesin uellsian dhe mesfushorin kroat.

Bale u dëmtua që në minutën e katërt të takimit. Ai ndjeu një dhimbje në pulpën e majtë dhe kërkoi menjëherë zëvendësimin. Real Madrid njoftoi se koha e rekuperimit të futbollistit do të bëhet e ditur ditën e hënë, por me shumë mundësi Bale do të mungojë në derbin e mesjavës.

Ndërkohë, më i rëndë dëmtimi i Modric. Kroati ka ndrydhur gjurin e këmbës së djathtë dhe do të mungojë 6 javë. Në këtë mënyrë, ai do të rekuperohet vetëm për një finale të mundshme në Champions League, pasi do të humbasë të gjitha ndeshjet që mbeten në kampionat për Realin.

Top Channel